Shqiperia ka vdekur!

Nga Reporter
Shkruar ne 23 Maj 2011 ora 12:34pm

Vendi ynë po zjen. Dhe kjo nuk ka lidhje me rritjen e temperaturave te motit, por me atë të shpirtrave shqiptarë kudoqofshin. Në një situatë të nderë, që shumëkush e quan të pashpresë, mundësitë për të patur një zgjidhje të qetë dhe demokratike, kanë shteruar.

Nuk ka se si të jetë ndryshe me qeverinë që na drejton. Një grup politikanësh të paskrupullt, me një nivel ndërgjegjshmërie shumë afër zeros, për të mos llogaritur anihilimin e ndjenjave patriotike dhe atdhedashëse, që nuk ngurrojnë aspak të shfaqin shenjat më të shëmtuara të një karakteri të sëmurë dhe kriminal. Një karakter i justifikuar nga fitimet marramendëse në kurriz të popullit, nga krimbi i pështirë që tashmë po u bluan kockat popullit tonë. I cili për fatin e tij të keq, po fle… ose ka vdekur.

Themi kështu sepse nuk është e mundur që ndërsa vuajnë për bukën e gojës, për rritjen e energjise kur drita s’kanë, për mungesën e ujit kur ujë s’kanë, për taksat e pastrimit kur mbizotërojnë plehrat, për shërbimet shëndetësore kur ato nuk funksionojnë, të qëndrojnë të heshtur, të frikësuar. Po çfarë tjetër duhet t’ju ndodhë more shqiptarë? Ju ka ngelur veçse t’ju hedhin zinxhirët e t’ju tërheqin zvarrë nëpër fushat e pambukut si skllevërit e atëhershëm!

Në fakt, këta zinxhirë tashmë kanë mbërthyer pjesën më të rëndësishme të popullit shqiptar: Rininë!

Një rini apatike ajo shqiptare, një rini e çuditshme. Ndërsa kërkojnë virtualisht t’iu ngjajnë bashkëmoshatarëve të tyre në botën perëndimore, harrojnë realitetin ku jetojnë. Harrojnë se jetojnë në një Shqipëri ku jeta e tyre vlen zero, biles më pak. Harrojnë se jeta e tyre varet nga miku i familjes, nga favori i fshehtë dhe aq i dëshiruar. Harrojnë se familjet e tyre bëjnë sakrifica të paimagjinueshme për t’i rritur me dinjitet. Harrojnë se politikanët aktualë janë po ata që kanë qeverisur Shqipërinë në kohën e komunizmit. Harrojnë se hapja e vizave nuk do të thotë domosdoshmërisht se gjithçka funksionon mirë. Harrojnë se llafet e pazarit, kafetë e panumërta nëpër klube dhe vrasja e kohës më të bukur të jetës së tyre në Facebook është një shkatërrim i inteligjencës, një përfjetje e energjive që kjo moshë i ka të panumërta, të zjarrta dhe që duhet te kishin përflakur me kohë këtë vend. Një energji e cila duket sikur nuk egziston, kur nuk i shikon në protestat paqësore kundër regjimit që i shtyp përditë.

Ku janë të rinjtë? Ku është motorri i shoqërisë sonë?

Ndërsa moshatarët e tyre kryejnë revolucione kundra regjimeve në të gjithë botën, duke sakrifikuar dhe jetët e tyre, ku janë ata? Ku ishin të rinjtë shqiptarë kur u vranë 4 persona të pafajshëm në 21 Janar 2001? Ku ishin të rinjtë shqiptarë kur u përmbysën regjimet totalitare ne Tunizi, Egjipt? Ku janë të rinjtë shqiptarë tani për të mbrojtur të drejtën e tyre themelore: votën? Ku janë të rinjtë?

Ne e dimë se ku janë: nëpër klube. Pijnë dhe diskutojnë se kush e ka fajin, i majti apo i djathti. Pijnë dhe diskutojnë problemet e tyre: s’ka punë, s’ka lekë, s’ka të ardhme. Pijnë dhe trashen. Pijnë dhe kalojnë kohën. Atë kohë që s’ka të çmuar, atë kohë që askush nuk ua kthen mbrapsht! Atë kohë që prindërit e tyre sot, për fat të keq të parët në rreshtat e protestës popullore, po kërkojnë të kthejnë mbrapsht edhe për ta. Boll pritët nga prindërit tuaj!

Ka ardhur koha që të zgjoheni, të merrni fatin tuaj në dorë! Zgjohuni nga kjo ëndërr e keqe qe ju ka mbërthyer shpresat dhe lidhur duart dhe gojën. Zgjohuni sot, tani, sa nuk është tepër vonë. Sepse nesër ndoshta nuk do t’ju lënë as të ëndërroni…

Le të mos ta lemë këtë tokë të plakur por të pamposhtur të mos dergjet duke u përpëlitur papushim. E keni radhën JU: Ngrihuni për jëtën tuaj, të ardhmen tuaj!