Shqipëria në Bienalen e Venecias, çelet konkursi për arkitektët

Nga Dorjan
Shkruar ne 09 Maj 2012 ora 3:31pm

Me synimin që pjesëmarrja e Shqipërisë në Bienalen e Venecias të jetë e vijueshme është çelur nga Ministria e Kulturës konkursi për arkitektët të cilët do të kenë mundësi të përzgjidhen për të përfaqësuar artin tonë në këtë edicion të radhës, që për Shqipërinë do të jetë hera e 13-të.

Kësisoj është çelur nga Zv/Ministri i Kulturës, Abaz Hado Konkursi Kombëtar në Arkitekturë me temë: “Rrjetëzimi Funksional dhe Estetik i ndërtesave, ndërthurjes së historisë dhe traditës me tendencat bashkëkohore në arkitekturë”.

Tema e konkursit është e fokusuar në mënyrë specifike në rrjetëzimin e Monumenteve të Kulturës si dhe të Strukturave Ndërtimore Ushtarake në Shqipëri. Qëllimi i këtij procesi është propozimi dhe diskutimi i koncepteve për transformimin e monumenteve apo të strukturave ushtarake në destinacione të mirëfillta turistike.

Ndërhyrjet në Monumentet e Kulturës; konceptet e propozuara duhet të marrin në konsiderate adoptimin e funksioneve të reja në strukturën ekzistuese të një monumenti, duke respektuar vlerat historike dhe arkitektonike të tij por ndërkohë duke i dhënë hapësire trajtesave arkitektonike bashkëkohore moderne nëpërmjet kompozimit volumetrik, llojit të materialeve të përdorur, programit, etj.

Ndërhyrjet në Strukturat Ndërtimore Ushtarake, konceptet e propozuara do të jenë me fleksibël duke adoptuar një gamë më të gjerë funksionesh, trajtimesh kompozicionale, volumetrike, etj. Zv/Minsitri Hado ka theksuar se “konkursi do të përzgjedhë katër projekte, dy vende të para, si dhe dy çmime për punimet më të mira studentore. Këto punime do të ekspozohen në edicionin e 13- të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës, ‘La Biennale’ në Venecia.

Për fituesit e konkursit do të ketë edhe shpërblime financiare. Çmimi për vendin e parë do të ketë një shpërblim prej 250,000 Lek ndërsa çmimi për punimin më të mirë studentor do të ketë një shpërblim prej 75,000 Lek. Në këtë konkurs kanë të drejtë të marrin pjesë konkurrentë me kombësi shqiptare, pra studentë që përfaqësojnë universitete të arkitekturës, arkitektë individë apo të përfaqësuar me studio arkitekture. Grupet e konkurrimit mund të përfshijnë edhe artistë të pikturës, skulpturës, design-it.

Projekti i konkurrimit nuk duhet të ketë qenë pjesëmarrës apo të jetë ekspozuar në asnjë veprimtari tjetër të mëparshme. Ai duhet të jetë origjinal dhe i krijuar për herë të parë, enkas për këtë konkurs. Metoda e realizimit dhe prezantimit të projekt-ideve që do të propozohen është në varësi të përzgjedhjes se secilit subjekt konkurrues.

Për të gjithë ata që duan të marrin pjesë në këtë konkurs, duhet të dorëzojnë projektet deri më 15 Qershor dhe projektet konkurruese do të ekspozohen në mjediset e Ministrisë së Kulturës për 10 ditë  në mënyrë që edhe publiku të shohë projektet pjesëmarrëse dhe pse jo, nëpërmjet shënimeve të japë mendimin e tij.

Do të jetë juria e ngritur për këtë konkurs që pas përfundimit edhe të periudhës së ekspozimit të projekteve, do të marrë vendimin për fituesit më 20 Qershor. Me përzgjedhjen e projekteve fituese, Juria e Konkursit përzgjedh edhe kuratorin përgjegjës për ekspozimin e katër projekteve ne edicionin e ‘La Biennale’ ne Venecia.

Juria kombëtare është e përbërë nga 5 anëtarë, personalitete të njohura e me reputacion në fushat e arkitekturës, artit dhe historisë.