SHQIPTARËT KTHEHEN NË BULLGARË, SOFJA LËSHON 1500 PASAPORTA PËR GORANËT

Nga Dorjan
Shkruar ne 20 Pri 2012 ora 2:31pm

Censusi i popullsisë i zhvilluar në Shqipëri përmes vetëdeklarimit rrezikon të mos merret në konsideratë nga fqinjët tanë. Kjo pasi problemi i pakicave mbetet i hapur edhe për një vend si yni, i njohur si gjerësisht homogjen të paktën sipas regjistrimit të fundit të popullsisë. Një arsye më shumë për këtë është edhe fakti se vetë qeveria shqiptare nuk sugjeron më regjistrimin e vitit 1989 si shifër më të fundit për përbërësit demografikë të popullsisë, por me gjasë është në pritje të publikimit të rezultateve nga INSTAT-i.

Ndërkohë deri në këtë pikë, fqinjët rajonalë kanë bërë hapa përpara për të “mbjellë” farën e minoriteteve,  të cilat gjithsesi ekzistojnë por duket se po kalojnë si pjesë integrale e agjendave politike. Përdorimi i pasaportës së BE-së është një instrument shumë i dobishëm dhe Bullgaria po e përdor atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Agjencia SETIMES bën me dije se Sofja zyrtare po punon intensivisht për të pajisur me pasaportë bullgare – pra të drejta të barabarta me një evropian – qytetarë shqiptarë që jetojnë në Shqipëri dhe në Kosovë. Përpos argumentimit të ndihmës dhe mundësisë për një jetë më të mirë, në kontekstin ballkanik, kjo politikë nënkupton alibinë e minoriteteve të reja.

“Ata (bullgarët) zakonisht vijnë këtu çdo dy muaj. Pritet që të vijnë në Gorë sërish në fillim të majit”, citon SETIMES presidentin e Shoqatës së Goranëve Maqedonas, Avni Rahte. Sipas tij, përfaqësuesit bullgarë shoqërohen nga avokatë dhe në përgjithësi e zhvillojnë punën e tyre, duke u përpjekur të bindin banorët mbi të mirat dhe përfitimet që vijnë nga shtetësia bullgare. Në këtë drejtim, burokracitë e mirënjohura të shteteve perëndimore janë reduktuar në zero; sipas Rahtes, mjafton vetëm të firmosësh një dokument ku deklaron se ke origjinë bullgare dhe çdo gjë mandej hyn në hulli ligjore. Të gjithë këtë procedurë e lehtëson edhe Kushtetuta e Bullgarisë e cila ka një kapitull që flet mbi “marrjen e shtetësisë përmes procedurave të lehtësuara”.

Zona e prekur nga ky operacion i gjurmimit të identitetit është ajo e Gorës, Zhupës dhe Prespës, mes Kosovës-Maqedonisë dhe Shqipërisë. Historikisht rajoni në fjalë është një pararojë e identifikuar e pushtimit mesjetar të fqinjëve tanë, por në kontekstin e tanishëm politik, pyka  bullgare priret të integrojë Sofjen zyrtare më thellë në çështjen maqedonase. Për ta kthyer çështjen në fjalë në terma të politikës së vendit tonë, sipas Gëzim Kurtit të shoqatës “Bullgarët e Shqipërisë”, deri më tani, 1500 banorë të Gorës, Zhupës dhe Prespës, kanë përfituar pasaportën bullgare, një sukses i vërtetë ky po të kihet parasysh se atë e udhëheq Shoqata e Bullgarëve nëpër Botë. Deri në këtë moment problemi i lindur mbetet në kuadrin e marrjes së një shtetësie të re nga ana e qytetarëve shqiptarë e më tej, kosovarë dhe maqedonas.

Pyetja që shtrohet është nëse këta 1500 bullgarë të rinj a do të shërbejnë si premisë për të kërkuar nesër të drejtat e një minoriteti bullgar? Shqipëria zyrtarisht nuk njeh një pakicë të këtillë. Për zonën e Gorës dhe Prespës, vendi ynë ka njohur ekzistencën e minoritetit maqedonas. Në faqen zyrtare të Komitetit Shtetëror të Minoriteteve pasqyrohet mirë prania e pakicës maqedone, rajonet që popullon ajo, zbatimi i të drejtave nga ana e shtetit shqiptar dhe angazhimi i tyre publik. Për rrjedhojë klonimi i identitetit nacional përmes pasaportizimit shtetëror duket se konkurron denjësisht çdo politikë zhvillimi apo prirje për integrim të brendshëm. Në këtë kuadër, mjafton të sillet parasysh se edhe Presidenti rumun, Trajan Basesku, në vizitën e tij të fundit në Tiranë, para disa kohës, kërkoi kthimin e pakicës arumune në pakicë kombëtare, ndonëse vllehtë janë komuniteti më i shkrirë me shqiptarët. Në të gjithë këtë panoramë të paqëndrueshme të larmisë identitare, censusi 2011 duket se nuk prodhon përgjigjen e kërkuar, edhe pse qeveria shqiptare po pret të dhënat e tij për ti afishuar ato si zgjidhje të problemit.

 

Kostandina Bezhani në Serbi, bisedime për pakicat

Shqipëria dhe Serbia pritet që të nënshkruajnë së shpejti një marrëveshje ndërshtetërore përmes së cilës do të rregullohet mbrojtja respektive e pakicave në të dyja vendet. Kjo është bërë e ditur në takimin që një delegacion i Komitetit Shtetëror të Minoriteteve, kryesuar nga drejtuesja e tij, Konstandina Bezhani pati në Beograd me ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Administratën Shtetërore dhe Vetë-administrimin lokal,  Milan Markoviq.  Sipas njoftimit zyrtar të KSHM-së, “ministri shprehu dëshirën që në një të ardhme të afërt të mundësohet arritja e një marrëveshje ndërshtetërore për mbrojtjen e pakicave kombëtare, si një instrument në dobi të bashkëpunimit rajonal”, kërkesë e cila ka marrë si përgjigje premtimin e Bezhanit për miratimin brenda 2012-s të ligjit të posaçëm për minoritetet.

E  zhvilluar në datat 29-30 mars 2012, vizita në fjalë ka pasur një axhendë shumë të ngjeshur në të cilën kanë dalë në sipërfaqe projekte për të ardhmen, por edhe ide dhe koncepte mbi politikat ndërshtetërore. Kështu takime janë zhvilluar me Këshilltarin e Presidentit të Serbisë Mllagjan Gjorgjeviq, në selinë e Presidencës, sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Fesë dhe Diasporës Miodrag Jakshiq, këshilltarin e Ministrit Simon Gjuretiq, sekretarin e shtetit të Ministrisë së Jashtme Ivan Mrkiq.dhe Vesna Fila, ndihmësen e ministrit të Arsimit. Në këto takime është folur edhe për pakicën shqiptare në Serbi, hapjen e universitetit Ekonomik në Bujanvoc, duke nënvizuar nevojën e marrëdhënieve ndërshtetërore. Në të gjitha diskutimet problemi i Kosovës në zbatim ndoshta edhe të direktivës së Kryeministrit Sali Berisha se Kosova nuk kushtëzon marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë.

 

Shqipëria pa të dhëna zyrtare për minoritetet

Censusi i vitit 2011-2012 për popullsinë nuk mundet të japë një fotografi të saktë rreth pakicave në Shqipëri. Ky fakt pranohet nga një institucion si Komiteti Shtetëror i Minoriteteve, i cili në faqen e vet zyrtare jep informacionin zyrtar mbi të gjitha minoritetet që jetojnë në vendin tonë. Ndonëse për të gjitha, Komiteti shmang publikimin e shifrave, për pakicën vllahe shprehimisht thuhet se “arumënët  ose vllahët në Shqipëri përbëjnë ndoshta komunitetin më të madh mbas shqipfolësve. Nuk ka një numër të saktë për ta, por në mënyrë jo zyrtare llogariten në dhjetëra mijëra vetë. Censusi i këtij viti ( 2012 ), nuk mund të konsiderohet i saktë për vllahët për arsye të emigrimit në masën afro 80% të tyre kryesisht në Greqi, por edhe në vende të tjera të demokracive perëndimore”.  Ky përcaktim që shenjon shqiptarët si shqipfolës, ka të bëjë me praktikën e ndjekur sipas të cilës personat që kanë më shumë se një vit jashtë Shqipërisë, nuk përfshihen në regjistrim. Një tjetër fakt që vlen të shënohet është ai se Komiteti nuk ka të publikuar asnjë të dhënë mbi minoritetin grek, edhe pse ai është më i përfaqësuari në vend. Po kështu Komiteti i klasifikon të gjitha grupet joshqiptare për nga etnia, si minoritet, një term ky që zakonisht i referohet pakicës grek dhe malazez  e jo pakicës kulturore dhe gjuhësore sikurse njihet deri më tani ajo vllahe.