Shtetësia, moldavja padi ndaj Presidentit Topi

Nga Dorjan
Shkruar ne 16 Pri 2012 ora 1:10pm

TIRANE-Olga Tofan, një moldave e cila erdhi klandestine në Shqipëri dhe krijoi familje duke sjellë në jetë tre vajza, hedh në gjyq Presidentin e Republikës Bamir Topin, për refuzimin e dhënies së shtetësisë shqiptare. Gruaja e lindur në Ungheni të Moldavisë, jeton prej 12 vitesh në Fier dhe pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, ende nuk ka mundur dot të bind autoritetet për të pasur një pasaportë shqiptare, çka do t’i lejonte për të bërë një jetë normale me familjen dhe të mos ndihej e huaj në një vend që e ka konsideruar si “tokën” e saj. Pasi ka dështuar në të gjitha përpjekjet për marrjen e shtetësisë, atëherë kur iu shuan shpresat për marrjen e pasaportës shqiptare, nëna e tre fëmijëve nuk ka qëndruar duarkryq, por ka vendosur të trokasë në dyert e gjykatave për të gjetur një zgjidhje për çështjen e saj. Pak javë më parë, Olga Tofan depozitoi në Gjykatën e Tiranës, ku si palë e paditur është institucioni i Presidentit të Republikës. Objekti i kësaj padie është detyrimi i institucionit më të lartë të shtetit për t’i dhënë shtetësinë shqiptare paditëses Olga Tofan. Dosja civile mban nr.10365 dhe pritet të shqyrtohet nga gjykatësi Flamur Kapllani.