Si të kujdesemi për shëndetin oral gjatë shtatzanisë?

Nga Dorjan
Shkruar ne 14 Mar 2012 ora 11:19pm

Shtatzania është një moment i veçantë në jetën e një gruaje, gjatë të cilit ndërthuren emocionet për sjelljen në jetë të një fëmije dhe shqetësimi që ai të lindë i fortë e i shëndetshëm. Një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e kësaj periudhe delicate e plot ndryshime intensive ka kujdesi i nënës për shëndetin e saj. Shëndeti oral është pjesë integrale e shëndetit të përgjithshëm dhe kërkon një vëmendje të veçantë jo vetëm për të parandaluar problemet e nënës me gojën dhe dhëmbët, por edhe problemet në rritjen dhe zhvillimin e fëmijës.Cilat janë ndryshimet që ndodhin në gojën time gjatë shtatzënisë?

Ndryshimet fiziologjike dhe emocionale gjatë periudhës së shtatzanisë prekin edhe shëndetin tuaj oral. Ndryshimet që shfaqen në gojën tuaj karakterizohen nga skuqja, enjtja dhe gjakosja e mishrave të dhëmbëve (që prek rreth 60%-70% të grave shtatzëna), konsumimi dhe dëmtimi i smaltit të dhëmbëve për shkak të mjedisit acid të krijuar në gojë, tharja e shpeshtë e gojës si rezultat i ndryshimeve hormonale dhe lëvizshmëria e rritur e dhëmbëve.
A është e vërtetë që gjatë dhe pas shtatzanisë dhëmbët prishen sepse ato varfërohen nga kalciumi, nga konsumimi I tij për nevojat e bebit?

Prishja e dhëmbëve gjatë dhe pas shtatzanisë është një fenomen që vihet re në shumicën e grave shtatzëna, por kjo vjen si rezultat i ndryshimit të zakoneve të të ngrënit, dietës së çrregullt dhe shpesh neglizhencës për t’u kujdesur në mënyrë adekuate për higjienën dentare. Gjithsesi kjo nuk vjen prej varfërimit nga kalciumi. Humbja e kalciumit nga dhëmbët e nënës dhe përdorimi i tij për të përmbushur nevojat e bebit është një mit që ka qarkulluar për një kohë të gjatë, por që nuk ka baza shkencore. Kalciumi që merr fëmija juaj në bark e ka prejardhjen nga ushqimi që ju konsumoni, jo nga dhëmbët tuaj. Edhe në rastet kur ai është i pamjaftueshëm, trupi juaj do t’i plotësojë nevojat e fetusit duke shfrytëzuar kalciumin e depozituar në kocka. Marrja e sasisë së duhur të kalciumit nga nëna gjatë shtatzanisë ka një rëndësi të madhe sepse prania e tij siguron një ekuilibër normal në procesin e kalcifikimit të dhëmbëve së fetusit që fillon pas muajit
të pestë të shtatzanisë. Në mënyrë të vecantë, marrja e kalciumit duhet të rritet në tremujorin e fundit të shtatzënisë 30% më shumë. Për këtë qëllim rekomandohet përdorimi i qumështit, perimeve, peshkut dhe frutave të pasura me kripëra të
kalciumit.
Pse gjatë shtatzënisë mishrat e dhëmbëve I kam vazhdimisht të skuqur, të enjtur dhe gjakosen menjëherë gjatë larjes së dhëmbëve?
Në periudhën e shtatzanisë, në trupin tuaj ndodhin ndryshime të shumta hormonale. Nivelet e rritura të progresteronit i bëjnë më të ndjeshme mishrat e dhëmbëve ndaj pllakës bakteriale të akumuluar. Për këtë arsye ato reagojnë në mënyrë të ekzagjeruar ndaj pranisë së saj me pasojë skuqjen, enjtjen dhe gjakosjen e tyre gjatë larjes së dhëmbëve. Kaq karakteristik është ky fenomen për grate shtatzëna sa sëmundja quhet gingiviti i shtatzanisë.
Pse është e rëndësishme të trajtohet gingivitis i shtatzanisë?
Në mungesë të trajtimit ai mund të progresojë drejt një forme më serioze, e cila prek jo vetëm mishrat, por edhe kockën ku janë të fiksuar dhëmbët duke nxitur shkrirjen e saj.Përvec efekteve negative që jep në shëndetin tuaj oral, kjo sëmundje rrit në mënyrë domethënëse riskun për të pasur një lindje të parakohshme ose një bebe me peshë të ulët në lindje. Prandaj, nëse keni probleme me mishrat e dhëmbëve- janë të skuqur, të enjtur dhe gjakosen menjëhërë- duhet te konsultoheni me mjekun tuaj stomatolog në mënyrë që kjo situatë të trajtohet përpara se të avancojë më tej.

A ka ndonjë lidhje ndërmjet dietës gjatë shtatzanisë, shëndetit tim oral dhe bebes në të ardhmen?
Një dietë e balancuar është e domosdoshme për të siguruar elementët e nevojshëm ushqyes për ju dhe beben tuaj. Ajo çka ju hani gjatë nëntë muajve të shtatzanisë ndikon në rritjen dhe zhvillimin e organizmit të bebes, duke përfshirë këtu edhe dhëmbët e tij. Dhëmbët e fëmijës fillojnë të formohen gjatë muajve të 3-6 të shtatzanisë dhe për këtë arsye është e rëndësishme që ju të merrni sasinë e duhur të lëndëve ushqyese- veçanërisht të kalciumit, proteinave, fosforit dhe vitaminat A, C dhe D. Gjatë shtatzanisë, shumë gra kanë dëshirë të hanë ndërmjet vakteve. Edhe pse kjo është dicka normale, ngrënia e shpeshtë ndërmjet vakteve, vecanërisht kur bëhet fjalë për ushqime të pasura me karbohidrate mund të bëhet shkak për prishjen e dhëmbëve dhe shfaqjen e kaviteteve. Prandaj në rastet kur nuk i rezistoni dot dëshirës për të shijuar dicka, sigurohuni që të zgjidhni ushqime që janë të shëndetshëm për ju dhe beben, të tillë si fruta, perime e produkte të qumështit.