Si të përballosh lodhjen pranverore

Nga Sage
Shkruar ne 16 Maj 2011 ora 6:11pm

Keshilla

Ndonëse është stina më e bukur e vitit, kur gjithçka zgjohet nga gjumi, natyra gjallërohet e vishet me ngjyrat e ylberit, organizmi shkon në të kundërt të kësaj ndjesie. Lodhje, përgjumje, ose edhe pagjumësi… Termi shkencor është “dobësi e përgjithshme”, që do të thotë “mungesë force”. Njëkohësisht është quajtur lodhje dhe është ajo ndjesia e të mos pasurit energji të mjaftueshme për të përmbushur angazhimet e ndryshme të ditës, të dëshirës për të fjetur me orë të tëra. Një simptomë jo fort e këndshme, por që në fund të fundit është një shenjë e shëndetshme.

Dobësia e pranverës
Lodhja e ashtuquajtur e pranverës shfaqet si një reagim ndaj rritjes së ditës, e cila karakterizon dy stinët më të nxehta të vitit. Në praktikë, është shprehje e përshtatjes së organizmit me klimën e re. Duhet të interpretohet si një kambanë alarmi nga ana e organizmit për të ndjekur një mënyrë jetese me korrekte dhe të shëndetshme

Gjumë i ëmbël…
Gjëja më e mirë që duhet bërë kur filloni e ndiheni tepër të lodhur është të dëgjoni mesazhin që ju jep trupi juaj. Së pari duhet fjetur më shumë. Gjumi me të vërtetë çlodhës është ai i orëve të para të natës, pra ai që nis maksimumi nga ora 10 e mbrëmjes, pra duhet që të shkoni shpejt në shtrat. E mira është të flini, pasi keni bërë një dush të ngrohtë, që ka efekt qetësues dhe sjellë gjumë.

Të ushqehesh shëndetshëm
Është e rëndësishme të ushqehesh në mënyrë të shëndetshme, për t’u “pastruar” nga pasojat e dimrit dhe të heqësh qafe kilet e tepërta të akumuluara gjatë stinës së ftohtë. Nuk janë të këshilluara dietat drastike, aq më pak nëse nuk janë të këshilluara dhe të ndjekura nga një dietolog. Sigurisht këshillohet pakësimi i konsumit të yndyrnave me prejardhje shtazore, sheqernave dhe zëvendësimi i tyre me fruta, jeshillëqe, peshk, oriz e makarona.

Aktiviteti fizik
Edhe pse mund të duket një paradoks, lodhja luftohet duke lëvizur. Një aktivitet fizik që me të vërtetë mund të ndihmojë, jo vetëm sepse impenjon pjesën më të madhe të muskulaturës së trupit, por edhe sepse është argëtuese, është kërcimi. Përgjithësisht preferohen aktivitete që nuk të mërzisin, pasi mund të sjellin efektin e kundërt. Një alternativë e mirë është të ecësh çdo ditë nga 45 minuta, aq më mirë nëse do të jeni në shoqërinë e dikujt me të cilin keni dëshirë të rrini.

Limitoni kafenë
Konsumi i kafesë duhet të reduktohet deri në tri filxhanë maksimumi në ditë, sepse është e mundur që kafeina e konsumuar me tepri të çon në të ashtuquajturin “efekti paradoksal”, i cili konsiston në të kundërtën e asaj që ndodh në rastin e konsumit të moderuar. Në praktikë, konsumimi me shumicë i kafesë, në vend që të japë energji, i shter ato.

Konsultë me mjekun
Nëse lodhja vazhdon për javë të tëra, pa ndryshuar, pavarësisht se po ndiqni rregullat për ta përballuar, pavarësisht se flini më shumë se zakonisht, është e nevojshme të konsultoheni me një mjek. Ky mund të jetë sinjali për një problem mbi shëndetin, si p.sh. një anemi, apo rënie e nivelit të hekurit.