Sindromi Metabolik, kërcënim për shëndetin

Nga Dorjan
Shkruar ne 25 Pri 2012 ora 3:55pm

Sindromi metabolik paraqet kërcënim për shëndetin, ndaj mjekët sjellin këshillat e tyre për t’u mbrojtur prej tij, duke vënë theksin tek ushqyerja e shëndetshme dhe aktiviteti fizik. Nga ana tjetër, mjekët kanë marrë masa që ta njohin sindromin metabilik dhe shkaqet e tij, me qëllim parandalimin e faktorëve të rrezikut që përmban, si hipertensioni arterial, trigliceritet e larta, hiperglicemia, radiopoziteti qendror ose abdominal, në të cilin rritet perimetri i belit.

Mjekët thonë se gjithsecili mund të llogarisë sindromin metabolik thjesht duke matur perimetrin e belit. Sipas vlerave të përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, vlera për femrat është mbi 85 cm dhe për meshkujt mbi 102 cm perimetri i belit.

“Nëse gjenden vlera të larta, personat duhet të kontrollojnë trigligliceritet, hipergliceminë, hipertensionin arterial, etj”, pohojnë mjekët. Sindromi është mjaft problematik, sepse shkakton rrezik për sëmundjet kardiovaskulare dhe për shfaqjen e diabetit tip 2.

Sindromi metabolik është bërë një problem shëndetësor mbarëbotëror, për shkak të përmasave pandemike që ai ka marrë. Prevalenca e sindromit metabolik në botë llogaritet deri në 35 %. Në vendet e Europës ky sindrom llogaritet në 25 %, në Amerikën Latine në 24-25 % dhe në Azi rreth 20 %.

Në vendin tonë mungojnë shifrat e sakta mbi këtë sindrom, por mendohet se ka tendencë për rritje të prevalencës së tij, duke qenë se ka prirje për obezitet dhe mbipeshë. Kjo, për faktin se komponenti kryesor i këtij sindromi është obeziteti, shkak për të cilin është ndryshimi i mënyrës së jetesës dhe e të ushqyerit, që i afrohet stilit perëndimor.