SKANUESI I HISTORIKUT TË DURRËSIT

Nga Dorjan
Shkruar ne 08 Apr 2012 ora 1:55pm

Para shumë vitesh nxënësve në shkollën e mesme të përgjithshme “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në qytetin e Durrësit, u bënte shumë përshtypje mësuesi i lëndës së vizatimit teknik për aftësinë në shpjegimin e kësaj lënde, korrektesën në pyetjet e tij dhe rigorozitetin që kërkonte në orën e mësimit. Takti i tij në mësimdhënie ishte nga më të arrirët, pasi ndonëse lënda që jepte ishte ndër më të vështirat, ai zakonisht nuk kishte nxënës mbetës. Figurat e vështira gjeometrike në pamje ballore, anësore dhe pjesët e padukshme të trupave që përshkoheshin me vija të ndërprera kur hidheshin mbi letrën e bardhë të vizatimeve teknike, bëheshin mjaft të thjeshta në shpjegimin e mësuesit Ramazan Beja, të cilin të gjithë e njihnin me emrin Xhodë Beja. Po në ato vite, nxënësit nuk e dinin se ai ishte një pinjoll i fisit të famshëm të Bejave, kushëri i Shefqet Bejës, që u bë edhe më i njohur me Grupin e Deputetëve të pushkatuar.

Po megjithëse tashmë kanë kaluar shumë vite dhe ai ka dalë në pension, profesor Xhoda vazhdon të na japë mësim në Durrës. U jep mësim gjithë brezave të Durrësit. Ai ka nxjerrë me qindra nxënës në jetë me njohuritë e tij të thella dhe për këtë i janë mirënjohës disa breza të qytetit dhe përsëri vazhdon të japë mësim. Nëpërmjet tre librave të botuar për Durrësin ai na jep tashmë leksione historie të këtij qyteti të veçantë. I saktë, lakonik në stil, nëpërmjet kujtimeve të drejtpërdrejta, të dokumentuara dhe shumicën e tyre të shoqëruara me fotografi, si dhe me emrat tashmë të panjohur për banorët e rinj të Durrësit. Xhodë Beja realisht ka bërë skanerin historik të këtij qyteti, i cili është cilësuar si “porta e parë europiane e vendit tonë”. Ai po lëvron me sukses në një zonë të huaj profesionale, duke u nisur nga fusha e arsimimit të tij, duke qenë se e njeh mjaft mirë terrenin e këtij qyteti me histori mjaft të ndërlikuar, ai tashmë është kthyer në një “gjeolog” të skanimit të xeherorëve të historisë së shkuar, por që njeh mjaft mirë edhe të sotmen, që vlerëson ata që i bënë nder qytetit dhe hesht me fisnikëri për ata që i kanë sjellë dëme atij, por që këto i lë t’i gjykojë e ardhmja.

Duke punuar në lëmin e historisë, Xhoda të kujton Pasterin e madh, i cili arriti që me mikroskopin e tij të diagnostikojë sëmundje, që nuk arrinin t’i diagnostikonin mjekët e asaj periudhe dhe madje kjo ngjalli edhe xhelozinë e tyre. Kjo sepse biologu kishte arritur që të njihte me mikroskopin e vet mikrobet e sëmundjes, të cilët mjekët ende nuk i kishin asimiluar si njohuri në kulturën e tyre profesionale të asaj periudhe historike. Xhodë Beja ka nxjerrë në dritë detaje historike dhe histori njerëzore që pa penën e tij ishin të destinuara që të atrofizoheshin në kujtesën qytetare të Durrësit.

Kur flet me të ai thotë me thjeshtësi se në të gjithë librat që ka shkruar, ka synuar që të njohë lexuesit me rrugët, rrugicat kryesore të qytetit, si dhe me shumë banorë që kanë qenë bërthama e popullsisë durrsake. Ai thotë se është përqendruar kryesisht në brezin e tij, familje dhe individë, të cilët vazhduan traditën e hershme tregtare të qytetit të Durrësit, me ata që i dhuruan me punë të palodhur begati, prosperitet kulturor e shkencor, artistik, sportiv, tregtar e industrial. Si përfundim ai thekson se: “Kam synuar të them vetëm ato të vërteta që sistemi komunist i shtrembëronte”. Lidhur me këtë për librin e fundit që sapo ka botuar “Durrësi dhe italianët”, Vaso Papaj ka shkruar se një nga të vërtetat e lëna në hije nga regjimi i kaluar është përshkrimi që i bën Xhoda ndihmës së durrsakëve të pasur për Lëvizjen  Nacional-Çlirimtare, lidhjet sidomos me çetën e Pezës dhe shkatërrimin e kësaj shtrese pas vitit 1945.  “Le të përmendim, – thekson Papaj, – tre deputetët e pushkatuar, listat e tatimeve të jashtëzakonshme, shtetëzimet e skajshme, burgimet, torturat, dënimet e gjata, vrasjet dhe vetëvrasjet”.

Tashti Xhoda ka në dorë një material të ri për Durrësin. Është angazhuar me grup pune për hartimin dhe botimin e “Enciklopedisë së Durrësit”.