‘Sodoma’, nje liber per diktaturen e tranzicionin

Nga Dinejda
Shkruar ne 06 Qer 2012 ora 5:29pm

TIRANE-Këto ditë, nëpër libraritë tona lexuesit mund të interesohen për një libër të ri, të një autori të padëgjuar dhe të panjohur më parë. Quhet Rami U. Sabriu dhe vepra e tij mban titullin “Sodoma”.
Nëse e merr në duar për t’i hedhur një vështrim, siç ndodh për çdo libër para se të vendosësh për ta blerë, vëmendja të përqendrohet tek madhësia e tij, 436 faqe, dhe tek titulli i tij SODOMA, që për shumë vetë edhe mund të jetë i pakuptueshëm, duke mos ditur se çfarë përfaqëson ky emër. Por jam i sigurtë se çdokush që e ka marrë këtë libër, pasi e ka përfunduar së lexuari, e ka pasur të vështirë ta vendosë menjëherë në cep të tryezës, duke qenë i pushtuar i tëri nga mbresa të thella nga kjo vepër e një krijuesi, për të cilin krijon bindjen se, ky autor s’mund të jetë kurrsesi pa një përvojë të gjatë krijuese dhe se kjo vepër s’mund të jetë e para në krijimtarinë e shkrimtarit. 

Por Rami Sabriu është ende një djalosh, që është lindur në Durrës më 1979-ën dhe kur nisën proceset demokratike ishte një fëmijë dhjetëvjeçar. E vë në dukje këtë fakt se, SODOMA e tij, e përbërë nga dy pjesë, i DAMKOSURI dhe TE DREQNOSURIT, është një vepër që pasqyron dy realitete, në vazhdimësi të tyre, atë të periudhës komuniste dhe atë të demokracisë në vendin tonë. Natyrisht, janë dy periudha të jetuara nga shumica e shqiptarëve të tanishëm, dhe si të tilla çdo vepër letrare që i pasqyron ato, do të ishte e vështirë të tërhiqte vëmendjen e tyre, sepse do të kishin të bënin me ngjarje dhe personazhe të njohura, të jetuar nga vetë ata. Edhe në SODOMA-n e Sabriut, ngjarjet dhe personazhet pothuaj janë të njohura, veçanërisht nga brezat që i kanë përjetuar të dy realitetet, diktaturën e proletariatit dhe tranzicionin. Por ata janë parë dhe trajtuar nga një këndvështrim krejt origjinal, të paraqitura me ngjyrime kaq realiste dhe me mjete shprehëse artistike origjinale, aq sa lexuesit i duket se i zbulohen dy realitete të reja, të papërjetuara më parë prej tij. Dy pjesët mund të ishin edhe si dy vëllime më vete, si dy libra të veçantë, por autori i ka paraqitur në një libër të vetëm, duke i bashkëngjitur jo vetëm për vijimësinë e tyre, por nisur nga qëllimi për ta bërë më prezent ballafaqimin mes dy sistemeve. Me të drejtë lexuesi mund të bëjë pyetjen se si është e mundur që autori, aq i ri, të jetë një njohës aq i thellë i dy realiteteve, deri duke hyrë jo vetëm në thelbin e ngjarjeve, por dhe në detajet dhe në skutat më të thella të tyre. Ai na paraqet mjeshtërisht personazhet më tipike, me përfaqësues në të dy sistemet, me botën e tyre të brendshme dhe psikologjike, me veçoritë e tyre individuale. Ngjarjet rrjedhin natyrshëm, duke zbuluar plot vërtetësi artistike realitetet, ku rrëfimi gërshetohet me mendimin filozofik, me një gjuhë të kulturuar dhe të figurshme, me sentenca që të kujtojnë shkrimtarë dhe filozoftë të mëdhenj, me mendime filozofike mbi realitetin, mbi shoqërinë njerëzore në stade të ndryshme të zhvillimit të saj, që para antikitetit e deri në ditët tona. Përmes meditimeve të thella, autori shpreh botëkuptimin e tij politik, filozofik dhe artistik, shfaqet qëndrimi mbi kategori të tilla si Zoti, Njeriu, Liria dhe Demokracia, Familja dhe Shoqëria, Komunizmi si ideologji, Tregu në Kapitalizëm, Qëndresa dhe Nënshtrimi si kolektiv dhe individ, Patriotizmi dhe abuzimi me të, Mirësia dhe E keqja etj. Të dy realitetet jepen me skena të gjalla, ku aktrojnë personazhe të vendosura në dy kampe të ndryshme, që përfaqësojnë dy qëndrime dhe filozofi të ndryshme përballë dhe në ndeshje me njëra-tjetrën. Në një anë qëndrojnë njerëzit e partisë, të Sigurimit të Shtetit, të rrjetit të bashkëpunëtorëve të tyre, të aparateve burokratike, dhe në anën tjetër njerëz, përfaqësues të mendimit intelektual, progresistë, idealistë, luftëtarë për liri dhe demokraci të vërtetë. Si një personazh më vete paraqitet masa e doktrinuar, e ideologjizuar, e nënshtruar, e trembur. Ankthi dhe frika ndjehen kudo, duke qenë edhe ato si personazhe në ngjarjet që zhvillohen në roman, apo dhe vetë personazhet të kujtojnë ata të veprave kafkiane. Fati i Durim X. sikur të ngjan me atë të Jozef K. të Franc Kafkës, me një fund të njëjtë tragjik dhe absurd. Ndonëse kemi të bëjmë me personazhe tipike, në ngjarje dhe rrethana tipike, autori ka përdorur mjete dhe detaje të hollësishme, duke bërë individualizimin e secilit prej tyre, aq sa lexuesi s’e ka të vështirë të identifikojë personazhe të njohura, të gjalla nga realiteti. Ai dallon se kush janë Xhemal Skileroi, Zotiraq Rena, Mirush Iskarioti, Sotiraq Llazari, Syri Brastari etj. Madje, edhe emrat e tyre janë simbolikë, si p.sh., Durim, Vujtin, Mira, Syri, Mirhum etj.

Në vepër jepen me ngjyra të gjalla mjaft skena tronditëse, si ajo e arrestimit të Durim X., e qelisë, e torturave dhe e vdekjes së tij, e qëndrimit të Mirës përballë njeriut të egër dhe të degjeneruar të Sigurimit etj. Por në qoftë se në pjesën e parë ndjehet kudo hija e zezë e diktaturës, me përgjime, me mbledhje populli, me arrestime dhe tortura deri në vdekje, në pjesën e dytë ndjehet zhgënjimi për tranzicionin e zvarritur, për përfituesit e djeshëm dhe të sotëm dhe për ata që provuan tmerret e diktaturës dhe për ëndrrat e fashitura, që siç shprehet edhe autori: “… u panë fajtorët që u bënë bashkëvuajtës dhe vuajtësit që u bënë bashkëfajtorë, në intermexon mes dy pjesëve, titulluar: TRANZICIONI… NDJEHET Dhimbja, deziluzioni, ëndrra e thyer dhe për këtë shkrimtari shpreh revoltën ndaj padrejtësive të reja, ndaj plagëve të reja në sistemin e ri, që po të mos luftohen mund ta gangrenizojnë shoqërinë tonë të re demokratike, si korrupsioni, drejtësia e instrumentalizuar dhe e ryshfetit etj. Fjala e Gjergjit në fund është një demaskim, por dhe një apel që u bëhet pikërisht atyre, politikanëve, shumë prej të cilëve mbanin ofiqe të larta edhe në sistemin e kaluar, që po u humbin besimin njerëzve tek demokracia me shpërdorimin e pushtetit, që po i detyron njerëzit të mendojnë dhe të vendosin ikjen përsëri nga ky vend, nga SODOMA, nga Shqipëria, sepse në Sodomë nuk jetohet, por mbijetohet. Autori ngre zërin me forcë kundër demagogjisë, mashtrimit, kundër atyre që përdhosin vlerat e vërteta të Lirisë dhe të Demokracisë, sepse siç shprehet ai: “Askush nuk mund të përmbajë një popull, që nga shtypja më e egër ka dalë në Liri”. Natyrisht, me këtë vepër dinjitoze Rami U. Sabriu hyn në prozën shqipe, duke e gjetur vetë vendin e tij me aq siguri.