Sopranoja Inva Mula i kthehet punës në korrik.

Nga Dinejda
Shkruar ne 14 Maj 2012 ora 12:21pm

Inva Mula i rikthehet aktivitetit operistik 5 muaj pas lindjes. Vetëm 10 ditë më parë ajo solli në jetë një vajzë që për nder të së ëmës që u nda nga jeta vitin që shkoi për Krishtlindje, e quajti Nina. Ndonëse në intervistën që dha për “Gazeta Shqiptare” ditën që u bë nënë për herë të dytë, nuk dha një datë të saktë për ditën që do të kthehej në punë, ndërkohë mediat e huaja lajmërojnë se më 26 korrik ajo do të jetë pjesë e një festivali Liban. Gazetarja Chirine Lahoud teksa raporton për larmishmërinë e aktivitetit 1 mujor që mbahet atje, shkruan se në korrik diva shqiptare e operës botërore tashmë do të jetë pjesë e eventit.

Gazeta “The Daily Star” shkruan se sopranoja shqiptare do të interpretojë rolin e Mimisë në “La Boheme” operën më të dashur të Giacomo Puçini, që sipas programit do të jetë në datën 26 korrik. “Diva Inva Mula do të luajë Miminë, ndërsa Paolo Fanale do të jetë përkrah saj si Rudolfo, i shoqëruar nga Orkestra Filarmonike Libaneze, e dirigjuar nga maestro Jean-Yves Ossonce”, – raporton “The daily Star”. Interpretimi i Invës bëhet në kuadër të “Beiteddine Art Festival” që mbahet nga data 28 qershor deri në datën 28 korrik. Sipas gazetës, festivali premton një program interesant që nga opera, rock’n'roll, nga xhazi tek kërcimi. Teatri i dancit të Libanit “Caracalla” do të vërë në skenë edhe triologjinë: “Scheherazade”, “Bolero” dhe një mbrëmje të kërcimit folklorik libanez. Inva e solli vajzën e saj në jetë në Paris, në një nga klinikat më të famshme të kryeqytetit francez, Clinique de la Muette në rrugën “Nicolo”. Në po të njëjtën klinikë, disa muaj më parë ka sjellë në jetë vajzën e saj edhe bashkëshortja e Kryeministrit të Francës, Carla Bruni.

Natyrisht që pranë saj është gjendur gjatë gjithë kohës edhe i shoqi, Et’hem Ramadani. Edhe pse secili prej partnerëve ka fëmijë të tjerë nga martesa paraardhëse, emocioni i sjelljes në jetë të një fëmije është gjithnjë njësoj, gjithnjë i bukur. Por pranë Inva Mulës nuk ka qenë vetëm ai. Është mësuar se shtratin e lumtur të nënës e kanë rrethuar shumë miq e të afërm të çiftit. Kanë qenë pikërisht këta të fundit prej nga është zbuluar edhe emri i së voglës, Ninës.