Sot, Dita Botërore e Teatrit.

Nga Dinejda
Shkruar ne 27 Mar 2012 ora 12:01pm

TIRANË- Që prej 50 vitesh, në 27 mars festohet Dita Botërore e Teatrit, dita kur perdet e rënda në skenat teatrore të botës hapen më kuptimplote. Kjo ditë u nis në vitin 1961 nga Instituti Ndërkombëtar i Teatrit (INT). Ajo festohet më 27 mars nga qendrat kombëtare të INT dhe komuniteti ndërkombëtar i teatrit. Për të shënuar këtë ditë organizohen ngjarje kombëtare dhe ndërkombëtare të shumta. Një nga më të rëndësishmet është qarkullimi i Mesazhit Ndërkombëtar të Ditës Botërore të Teatrit, përmes të cilit, pas ftesës së bërë nga INT, një figurë e përmasave botërore ndan me të tjerët reflektimet e tij mbi temën e Teatrit dhe Kulturës së Paqes. Mesazhi i parë i Ditës Botërore të Teatrit u shkrua nga Zhan Kokto (Jean Cocteau, France) më 1962. 

Mesazhi i këtij viti është dhënë nga aktori amerikan i ekranit dhe i skenën John Malkovich. “Uroj që puna juaj të jetë bindëse dhe origjinale. Të jetë e thellë, prekëse, meditative dhe unike. Uroj të na ndihmojë të reflektojmë mbi çështjen e domethënies së të qenit njeri dhe uroj që ky reflektim të jetë i bekuar me zemër, sinqeritet, çiltërsi dhe mirësi. Uroj të dilni mbi fatkeqësitë, censurën, mjerimin dhe nihilizmin, ashtu si shumë prej jush do të jenë me siguri të detyruar të bëjnë”, uron aktori Malkovich.

Në fillim në Helsinki dhe më pas në Vienë, në Kongresin e 9-të Botëror të INT, në qershor 1961, Presidenti Arvi Kivimaa propozoi në emër të Qendrës Finlandeze të INT, të themelohej Dita Botërore e Teatrit. Propozimi, i mbështetur nga qendrat skandinave, u mirëprit fuqishëm.

Ai që njihet si Mesazhi Ndërkombëtar përkthehet në mbi 20 gjuhë dhe lexohet nga mijëra spektatorë para fillimit të shfaqjes në teatrot e mbarë botës dhe publikohet në qindra të përditshme. Kolegët e fushës audio-vizuale u japin një dorë vëllazërore atyre të teatrit dhe mbi 100 radiotelevizione në botë transmetojnë Mesazhin për dëgjues në çdo cep të pesë kontinenteve.

Qysh atëherë, çdo vit më 27 mars, (data e fillimit të sesionit të “Teatrit të Kombeve” në Paris, më 1962) Dita Botërore e Teatrit është festuar në mënyra të shumta nga qendrat kombëtare të INT, të cilat numërohen pothuaj 100 në të gjithë botën.

Në kryeqytet vetëm Teatri i Metropoli ka njoftuar se do të hap dyert falas për publikun, në kudër të kësaj dite, për të parë komedinë shqiptare “Karnavalet e Korçës”.