Sot u ndërrua një drejtor spitali, zoti Kryeministër!

Nga Dorjan
Shkruar ne 09 Apr 2012 ora 6:32pm


Sot, Spitali Rajonal i Vlorës u përfshi në valën e ndërrimit të drejtuesit të tij. Ndërrimi i një drejtuesi është normalitet dhe madje, shumë i drejtë në filozofinë e drejtimit të shtetit, ndonëse kryhet për arsye të caktuara dhe vendimmarrja duhet bazuar në kritere të mirë përcaktuara, aq më tepër kur flitet për drejtues të një spitali të madh rajonal, si ai i Vlorës. Duke qenë pjesë e politikes dhe e shëndetësisë, u bëra kurioz dhe më pas u habita me zgjedhjen e bërë, madje nuk doja ta besoja, kur kolegët e mi mjekë, të shqetësuar më përshkruan situatën.
Para pak kohësh është hapur një debat në rangjet e politikës, për reformat që duhet të ndërmerren në sektorin e shëndetësisë, debat në lidhje me platformën që PS prezantoi. U duk sikur debati ynë, në lidhje me paraqitjen e programit ambicioz të PS-së, do të sillte një reagim të të gjithë faktorëve të fushës së shëndetësisë. Po kështu, edhe ajo që nisi ndërmjet nesh si përfaqësues të opozitës dhe vetëm njërit prej përfaqësuesve të maxhorancës, do të ishte i tëri mbi baza të sinqerta profesionale dhe mbi politika drejtuese, që në thelb vënë përballë dy projekte. Projekti i parë, ky realitet që ka dështuar tërësisht dhe tjetri, projekti që ne si opozitë e prezantuam edhe në tryezën për një “Rilindje shqiptare”, për shëndetësinë. Reagimi i pozitës ishte se ajo çfarë ne prezantuam, ishte tërësisht komuniste dhe nihiliste. Mentaliteti komunist për këtë brez, i cili është shkolluar dhe rritur tërësisht jashtë këtij ndikimi, është si të flasësh për UFO-t. Por, tashmë një gjë është e qartë, se, pikë së pari nuk duhet të lejojmë që realiteti që prezantohet sot çoroditës, korruptiv, nepotik dhe joprofesional, i ngjashëm me atë që ndodh sot në Spitalin e Vlorës, të ngulë rrënjët kudo.
Ku është ministri i Shëndetësisë sot? Po Kryeministri ynë mjek? I drejtohem në emër të të gjithë mjekëve dhe infermierëve, të cilët jetën e tyre ia kanë përkushtuar tërësisht mirëfunksionimit të këtij sistemi. Kam besuar se ministri do të ishte përfaqësuesi i institucionit, i cili do të ishte në mbrojtje të këtij sistemi dhe në mbrojtje të punës së të gjithë personelit shëndetësor, se masat e marra nga ai do të zhduknin plagën më të rëndë që e ka gllabëruar këtë qeveri, korrupsionin, por nuk po ndodh kështu.
Kam besuar se ruajtja dhe vënia në vendin e duhur të figurës së mjekut dhe të infermierit në shoqërinë shqiptare dhe vlerësimi i punës së tyre në bazë të aftësisë profesionale dhe shkollimit të tyre, do të ishte baza për një karrierë profesionale dhe menaxheriale. Por, sot shoh një personazh të panjohur e pa asnjë eksperiencë në menaxhimin e shëndetësisë, e pa njohuri për të, të vendoset për të menaxhuar spitalin e bashkëqytetarëve të mi.
Kjo politikë e ndërrimit të kuadrove, zoti ministër dhe Kryeministër, e aplikuar në shumë vende, e tashmë edhe në Spitalin e Vlorës, është ulje e personalitetit të mjekut, mospërfillje e kurrikulave dhe lënie pas dore e çdo premtimi për personelin mjekësor. Dhe më e dhimbshme është humbja e besimit të vetë personelit për përmirësimin e kushteve të trajtimit të tyre.
Rasti ne Spitalin Rajonal të Vlorës është çudia e radhës. Ky është një fenomen gërryes për të gjithë ata mjekë dhe infermierë që punojnë aty, është një nëpërkëmbje për breza të tërë, të cilët kanë punuar në sektorin e shëndetësisë për vite me radhë dhe kanë lënë emër në mjekësinë kombëtare, është një nëpërkëmbje për doktor Kallfen, Fllokun, Angjelin, Pustinën etj. etj. me radhë, që Vlora nuk mund t’i harrojë. Është tallje për ata 110 mjekë të spitalit dhe mbi 250 infermierë, për të mos folur pastaj për ata mjekë që punojnë në shërbimin parësor.
Zoti Kryeministër, ajo çfarë deklaruat dje, pardje, parapardje se Shqipëria radhitet në vendet më të zhvilluara në sistemin shëndetësor, bie në kontradiktë me vendimet që merrni kur emëroni individë pa përvojë, e pa asnjë njohuri për shëndetësinë, në vend të mjekëve e menaxherëve profesionistë në krye të spitaleve. Dhe në këtë mënyrë nuk mund të besojmë se ato që thoni janë të vërteta.

ELTAR DEDA
*Deputet i PS në qarkun e Vlorës