Stina e verës, ja këshillat e mjekëve

Nga Dorjan
Shkruar ne 11 Qer 2012 ora 1:45pm

Me fillmin e sezonit të plazhit në stinën e verës, specialistët e shëndetit publik japin këshilla për pushuesit në mënyrë që të tregohen të kujdesshëm për shëndetin e tyre.

Ata rekomandojnë përdorimin e kapeleve dhe syze të errëta dielli për mbrojtjen e kokës dhe syve në plazh. Dëmtimet në sy, si perde, infeksione dhe tumore, janë ndër ndikimet negative të rrezeve të forta të diellit në stinën e verës, veçanërisht atyre ULTRA VIOLET.
Ekspozimi në diell duhet të bëhet gradualisht dhe jo menjëherë.

Mjekët dermatologë thonë se, ekspozimi në diell në orët e pikut dhe pa u mbrojtur përbën një rrezik për shkaktimin e melanomës, kancerit të lëkurës.
Sipas tyre, është i këshillueshëm përdorimi i kremrave mbrojtës, sipas tipit të lëkurës dhe intensitetit të rrezeve ultraviolet, ndërsa rrezet e forta në orët e pikut (11.00-16.00), duhen shmangur.

Gjithashtu, nuk rekomandohet përdorimi i parfumeve dhe kozmetikës, pasi shkaktojnë alergji, apo dhe simptoma të tjera në organizëm. Në det, duhet treguar kujdes edhe nga peshqit, kandilët e detit, etj.

Nga ana tjetër, specialistët apelojnë edhe për mbajtjen e higjienës vetjake si edhe të ambjentit pastër ku qëndrojnë.
Në të gjitha rastet kur vihet re ndonjë ndryshim në lëkurë, sidomos kur shoqërohet me simptoma shqetësuese, mjekët rekomandojnë të kontaktohet menjëherë me ta, pasi në disa raste alergjitë e shkaktuar mund të jenë të rrezikshme.