STOP! Boll i vrave shqiptaret, Sali Berisha!

Nga Reporter
Shkruar ne 18 Maj 2011 ora 9:53am

Stalini, që kurrë nuk ka pretenduar se ishte “demokrat”, mendonte se pak rëndësi kishte kush votonte, apo si votonte, sepse sipas tij rëndësi kishte se kush numëronte votat. Në Tiranë, në 2011, po tejkalohet stalinizmi.

Nuk ka rëndësi as kush voton, e as si del numërimi, por ka rëndësi vetëm konfirmimi i etjes së pashuar për pushtet i një njeriu, që quhet Sali Berisha. Ky nuk është Stalini dhe nuk ka fuqinë e tij sigurisht. Ky nuk është as demokrat, as teoricien.

Nuk është as diktator, as anti-fashist. Është veç një rishfaqje, një shekull më vonë, e Esad Pashës, mitomanit injorant që s’ka as besë as atdhe, meritë e vetme e së cilit qe ofrimi i terrenit heroik për një djalosh idealist.

Zoti Berisha, lërini hiletë provokuese mbi votën e shqiptarëve! Do të dëshironim t’ju drejtoheshim sot në funksionin institucional që mbani, si kryeministër i Shqipërisë e i shqiptarëve, mirëpo nuk mundemi. Sepse ju e qeveritë tuaja kukulla, keni larë duart me gjak shqiptarësh, si në 21 janar, si në Gërdec, apo si në 1997.

Ju keni trafikuar e shitur vendimmarrjen e qeverisë së Shqipërisë, keni zaptuar hapësirën për çdo perspektivë zhvillimi, keni shkatërruar moralin, besimin dhe unitetin kombëtar, keni tentuar të shisni e të dhuroni tek të huajt, tokë e det.

Të gjitha këto, e bëjnë të pamundur cilësimin tuaj si kryeministër i Shqipërisë e i shqiptarëve, siç deshët ta cilësonit veten para dy ditësh, kësisoj, ju drejtohemi veç në instancë personale, meqenëse vetë ju e keni ngritur personin tuaj mbi secilin institucion e mbi secilin prej nesh, duke i shndërruar zyrtarët tuaj dhe qytetarët e lirë në subjekte të nënshtruara ndaj një padroni.

Zoti Berisha, ju nuk do të mund të manipuloni sërish vullnetin e zgjedhësve! Jo më! Të gjithë e panë numërimin e votave prej ekraneve televizive, në një proces që së paku transparencën e kishte të siguruar (sigurisht jo për meritë tënden).

Nuk mjaftuan miliardat që të shtini Tiranën në xhepat tuaja, nuk do të mjaftojnë as këto hile të lira prej tufës së ristanëve që fatkeqësisht kanë uzurpuar institucionet kushtetuese.

Vetëm se me këto përpjekjet tuaja, po e çoni sërish këtë vend në buzë të humnerës. Ky atdhe është i dobët e i sëmurë sepse soji yt nuk i ka lënë kurrë kohë të shëndoshet, shpirtërisht e moralisht, por ky atdhe është i të gjithëve.

Shpresojmë që t’i thërrisni në kohë arsyes. Hiqni dorë nga provokime kaq fort të rrezikshme , sepse kësaj radhe Shqipëria nuk do t’ua falë!

Historia e largët dhe e afërt jo vetëm në Shqipëri, është një mësim i madh për diktatorët e kallëpit tuaj. Drejtësia popullore do të veprojë me gjithë fuqinë e shpirtit të trazuar, përdhunuar e tradhëtuar deri në palcë. Mendohu edhe një herë sot në mëngjes kur të lexosh këto rreshta, Sali Berisha.

Nga: Shekulli