STUDENTËT PRO PEDAGOGËVE: DO TË BOJKOTOJMË SEZONIN!

Nga Dorjan
Shkruar ne 30 Mar 2012 ora 3:21pm

DURRES/ Kundër vendimit për transferim në Peshkopi. Kemi diplomat.

“Do bojkotojmë mësimin dhe nuk do të futemi në provime”. Kështu ka deklaruar në emër të studentëve Ledian Halilaj, përfaqësues i studentëve në universitetin “Aleksandër Moisiu”, ndërsa pedagogët e penalizuar shprehen se do të padisin rektorin Mema. Përplasja e nisur muaj më parë nga kandidatët për rektor në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, mes Mit’hat Memës dhe kundërshtarit të tij, Bardhyl Çeku, nuk ka të ndalur, madje duke u ashpërsuar më tej. Në mbështetje të pedagogëve që pritet të transferohen në Peshkopi kanë dalë edhe studentët e këtij universiteti, ndërsa një pjesë e mirë e tyre kanë vendosur që sot të bojkotojnë mësimin. Studentët kërcënojnë edhe me bojkot të provimeve të sezonit, që fillojnë ditën e hënë. “Kjo që po ndodh në universitetin tonë është e patolerueshme. Ky vendim nuk penalizon vetëm pedagogët, por edhe ne studentët. Zëvendësimi i profesorëve në prag të provimeve nuk është aspak normale. Ne nuk do të pranojmë të paraqitemi në provime, nëse nuk rrëzohet vendimi për transferimin e pedagogëve”, shprehet Ledian Halilaj, përfaqësuesi i studentëve në senatin akademik. Ndërkaq, edhe vetë pedagogët po bëjnë të pamundurën për një “anulim” të vendimit, që i dërgon ata të ushtrojnë detyrën në qytetit lindor. Madje, pedagogët kanë zhvilluar një takim me Avokatin e Popullit, Igli Totozani, ku i kanë kërkuar rrëzimin e vendimit. Nga ana e tij, Avokati i Popullit u kërkoi atyre paraqitjen e një ankese formale me shkrim pranë institucionit, duke i siguruar që çështja do të trajtohet në mënyrë të përshpejtuar. Ata i kanë paraqitur një ekspoze avokatit lidhur me transferimin, që sipas tyre bëhet për ata pedagogë që nuk i kanë dhënë mbështetje rektorit gjatë procesit të zgjedhjeve. Sërish dje studentët kanë protestuar përpara universitetit, ku kanë kërkuar rrëzim të vendimit për largimin e 8 pedagogëve në filialin e Peshkopisë. Studentët shprehen se vendimi erdhi i papritur, ndërkohë që ata të hënën e ardhshme kanë sezonin e provimeve, ndërsa një pjesë e tyre janë në punimin e diplomës me profesorët, të cilët kanë marrë urdhrin për largim nga universiteti. Studentët organizatorë të protestës kanë deklaruar se është e papranueshme që transferimi i tyre të bëhet 4 ditë para fillimit të provimeve, në një kohë që leksionet u janë dhënë nga këta pedagogë dhe tashmë pritet që të caktohen të tjerë për t’i marrë ata në provim.

Pedagogët: Padi rektorit
Pedagogët shprehen se do të padisin rektorin Mema, për “urdhër të jashtëligjshëm” dhe “shkelje të të drejtave të pedagogëve dhe studentëve”. “Ne kërkojmë revokimin e urdhrit për transferimin e personelit akademik në filialin e Peshkopisë të rektorit të universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe funksionet e tij respektive. Gjithashtu kërkojmë rivendosjen e të drejtave të shkelura ndaj pedagogëve tanë dhe njëkohësisht ndaj studentëve, duke dëmtuar procesin mësimor. Kjo sepse urdhri për transferimin tonë është i jashtëligjshëm dhe në kundërshtim të plotë me ‘ligjin për arsimin e lartë’, nr.9741. Në qoftë se rektori Mema nuk u përgjigjet pozitivisht kërkesave tona, atëherë do të përballet me ligjin, pasi kemi vendosur që ta çojmë çështjen deri në dyert e Gjykatës”, deklaroi Arif Murraj, zv.dekan i Fakultetit të Menaxhim-Biznesit.