Studimi, 50% e popullsisë në vend është mbipeshë

Nga Dorjan
Shkruar ne 30 Pri 2012 ora 2:49pm

TIRANE-Mungesa e aktivitetit fizik, por edhe rritja e mirëqenies në familjet shqiptare, ka bërë që të dhënat për personat mbipeshë dhe obezë të kapin shifra alarmante. Sipas studimit demografik dhe shëndetësor në Shqipëri, rezulton se vetëm 46% e meshkujve dhe 58% e femrave kanë treguesit e masës trupore brenda normës së lejuar, ndërkohë që pjesa tjetër paraqesin probleme. Në studim u përfshinë meshkujt dhe femrat e moshës 15-49 vjeç dhe u mblodh informacion mbi gjatësinë dhe peshën e tyre, ndërkohë që pas përpunimit të të dhënave u bënë klasifikime sipas vendbanimit, rajonit, arsimit dhe indeksit të pasurisë. Pas përpunimit të tyre rezultoi se 39% e femrave në moshën 15-49 vjeç në vendin tonë janë mbipeshë ose obeze, ndërkohë që, ajo që vërehet është se femrat më problematike janë ato që kanë mbaruar arsimin bazë. Nga të dhënat e studimit rezulton gjithashtu se femrat që jetojnë në rajonin bregdetar paraqesin shifrat më të larta të obezitetit, me 44.5%. Në studim u përfshinë edhe meshkujt dhe nga përpunimi i të dhënave rezultoi se 53,3 % e meshkujve në moshën 15-49 vjeç janë mbipeshë ose obezë. Për sa i përket grupmoshës, moshat 30-39 vjeç paraqisnin të dhënat më problematike, me 69 %. 
Rrezikshmëria
Organizata Botërore e Shëndetit insiston se aktiviteti fizik është i pazëvendësueshëm, sidomos tek ata individë që kanë nivel të lartë jetese. Sipas të dhënave, inaktiviteti fizik është faktori i katërt i riskut për sëmundje kronike në shkallë botërore, por shkon deri në 6,6% në vendet me të ardhura të mesme apo 7,7% në vendet me të ardhura të larta. Ndërkohë që në vendin tonë inaktiviteti fizik është përgjegjës për 6% të shkaqeve të sëmundjeve kronike. Ndërkohë që, ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili i ka cilësuar aktivitetin fizik dhe mënyrën e të ushqyerit dy elemente esenciale për shëndetin tonë. Ai ka bërë thirrje për kujdesin që duhet të kemi në mënyrën tonë të të jetuarit, pasi jeta sedentare dhe reduktimi i aktivitetit fizik tashmë dihet që përbëjnë rrezik për shëndetin tonë.