Sulmohet ambasada e Maqedonisë, MPJ dënon ngjarjen

Nga Dorjan
Shkruar ne 17 Mar 2012 ora 3:09pm

Prishtinë (PLOTESUAR 17 mars, 13:45)-Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, dënon sulmin e ndodhur mbi Ambasadën e Republikës së Maqedonisë në Prishtinë, rreth mesnatës së mbrëmshme.

Në komunikatën e dhënë pak më parë MPJ e konsideron tërësisht të papranueshëm dhe në dëm të raporteve miqësore mes dy shteteve tona këtë akt vandal.

Ministria e Jashtme kërkon nga organet e hetuesisë që sa më parë të zbardhin rastin dhe të vënë para organeve të drejtësisë kryerësit e këtij akti të ulët.

Pëmes deklaratës MPJ shpreh angazhimin e institucioneve të shtetit për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Republikën e Maqedonisë, përfundon komunikata.

Nga burime policore është njoftuar për median se mbi objektin ku gjendet përfaqësia e ambasadës, është hedhur koktej molotovi. Bëhet e ditur se nuk ka të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë minimale.

**************************

Prishtinë-Policia e Kosovës ka rritur sigurinë për ambasadën e Maqedonisë në Prishtinë gjatë gjithë natës pas një sulmi në mesnatë me molotov. Policia e ka konfirmuar incidentin, por ende po bëhen hetime për shkallën e tij dhe qëllimin.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, ku tre persona kanë hedhur koktej molotovi nga një veturë e bardhë “Toyota” në objektin e ambasadës. Nuk janë raportuar të lënduar dhe dëme të mëdha materiale.

Një togere policore, që po kalonte aty afër në momentin e hedhjes së bombës molotov dhe ajo menjëherë është hedhur në ndjekje të tyre duke e ndërprerë sulmin që mund të vazhdonte edhe më tej.

Policia gjendet ende në ndjekje të sulmuesve. Sulmi vjen në një kohë kur në Maqedoni ka një tension të lartë etnik prej disa ditësh. Vetëm pak ditë më parë ndaj ambasadës së Maqedonisë në Prishtinë pati një sulm tjetër.