Sundimtari i sëmurë i një kombi me probleme

Nga Reporter
Shkruar ne 20 Maj 2011 ora 10:19am

Unë nuk e di kush ka fituar. Rama doli dhjetë vota përpara, por përderisa gara ishte me rezultat kaq të ngushtë, nuk është çudi që praktikisht të ketë fituar dhe Basha. Unë gjithashtu nuk e di se ç’thotë saktësisht ligji lidhur me votat e kandidatit që hidhen në kutinë e gabuar. Logjika ta thotë se në ato vota është shprehur një vullnet i qartë nga ana e atyre pak votuesve të matufjepsur, e për rrjedhojë ato duhen futur në hesap. Ah, nëse ligji e përcakton ndryshe këtë punë, duhet respektuar ligji, sado i gabuar të jetë, e nuk duhet ndjekur logjika, sado e saktë të jetë. Mirëpo ligji na u interpretoka në mënyra të ndryshme. Nga ana tjetër kemi një precedent që daton në zgjedhjet e vitit 2007. Atëmot, votat e hedhura në kutinë e gabuar janë konsideruar të pavlefshme. Edhe? Edhe prapë unë nuk di ç’të them.

Por problemi nuk është fare këtu, të dashur miq. Pamjet televizive të ballafaqimit të sotëm allasoj midis policisë e deputetëve (ishte e turpshme ajo që na panë sytë), dhe KQZ-ja që mblidhej për të vendosur (ashtu si e ka vendosur tanimë Sali Berisha) nën presionin e opozitës e nën mbrojtjen e policisë së regjimit, janë thjesht episodi i radhës i një filmi serial të gjatë. Problemi pra nuk duhet kërkuar tek ky episod. Problemi, më anë tjetër, nuk është as ligji, as Basha, as Rama, as këto zgjedhje. Problemi është Sali Berisha, i cili nuk di të bëjë tjetër në këtë botë, veçse të mbjellë sherr për të sunduar, dhe të sundojë duke mbjellë sherr.

Kjo që po ndodh këto ditë nuk është një gjë e re. Këtë punë kemi pasur ne qysh prej vitit 1991. Sapo mbyllet a fashitet një konflikt, vjen tjetri, dhe në të gjitha këto konflikte shkëlqen me praninë e vet Sali Berisha. E pse e paska fajin posaçërisht e domosdoshmërisht ai? Hm, në këtë mes nuk ka nevojë të japësh konsiderata e të shqyrtosh veprimet e tij; është mjaft të veçosh faktin, që në të gjitha konfliktet njëra palë e ka pasur emrin Sali Berisha. Pala tjetër quhet sot Edi Rama, por nuk ka pasur këtë emër në vitin 1996, 1997, 1998, e në plot rrethana të tjera pas vitit 2000. Jo, e ka pasur njëherë Fatos Nano, njëherë tjetër Servet Pëllumbi, njëherë tjetër Rexhep Meidani, njëherë tjetër Ilir Meta, njëherë tjetër Pandeli Majko, njëherë tjetër Alfred Moisiu, njëherë tjetër Arben Rakipi, Dhori Sollaku, Ina Rama, njëherë tjetër Bamir Topi.

Kështu që mos e lodhni trurin kot në përpjekje për të interpretuar ligjin, për të lexuar qëndrimet e mesazhet e ambasadorëve, e për të kërkuar tek Edi Rama një njeri të lig e të shkarë nga trutë. Me që ra fjala, po qarkullon në internet një fabulë, sipas së cilës Edi Rama e të tijtë kanë ushtruar dhunë mbi Gramoz Ruçin; nuk kam ide nëse kjo është e vërtetë, apo jo, por edhe nëse s’është e vërtetë (Ruçi sot u shfaq ai që ka qënë, në mbështetje të Ramës), ua pohoj dhe unë që Edi Rama është edhe i lig, edhe i shkarë nga trutë; e megjithatë, konfliktet në politikën shqiptare nuk i kemi peshqesh prej tij; mund të kemi peshqesh, në atë masë që mund të kemi, këtë konfliktin e fundit, apo këto të viteve të fundit, por puna është se konflikti e sherri kanë hyrë në politikën shqiptare (madje, shumë më fort se sa sot) qysh në kohët, kur Edi Rama ka qënë një qytetar si gjithë qytetarët. Përsëris: Edi Rama është thjesht emri i herës që ka njëra palë në konfliktin e përjetshëm, ndërsa Sali Berisha është emri i të gjitha herëve që ka pala tjetër.

Po i mëshoj idesë sime: Nuk do ish as e drejtë, as inteligjente, të ngecnim në llucën e detajeve të konfliktit më të fundit, në të cilin ka plot emra e plot teprime të ngjyrave më të ndryshme. Nuk do ish e drejtë të merreshim me Arben Ristanin, me Tom Doshin, me Tualant Ballën, me Njazi Kosovrastin, me policët, me forcat e ndërhyrjes së shpejtë, me Erjon Braçen, me Lulzim Bashën, me Genc Rulin, me Edi Ramën vetë. Të gjithë këta e të tjerë, ose janë pala e radhës, ose janë të përdorurit e radhës, ose janë sherrxhinjtë e radhës, në një konflikt të përjetshëm të mbjellë më së pari nga një njeri i sëmurë, shumë i sëmurë, tmerrësisht i sëmurë, të cilit i janë lagur e nuk i punojnë më aletet inhibitivë të psikës së tij, i cili sherrin nuk e ka më gjetje taktike, por e ka një gjendje mendore, dhe i cili është shumë, shumë, shumë i rrezikshëm. Edhe fakti që ai nuk bëri asgjë për ta evituar këtë konflikt (po bëj avokatin e djallit, e po supozoj se e bënë të tjerët këtë konflikt) lidhur me rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë, i cili, konflikti pra, ishte gjëja e fundit që i lipsej në rrethanat, kur ai ka fituar, tregon se sa i sëmurë dhe sa i rrezikshëm është ai njeri.

Thashë “ka fituar”? Po, po, ka fituar. Me kutin e pritmërive të mija, Berisha i ka fituar këto zgjedhje. Unë prisja që shqiptarët t’i tregonin vendin këtij njeriu të sëmurë në një proces zgjedhor ku, në mos tjetër, numërimi ishte transparent, por s’ndodhi kështu. Ai ka humbur thellë e qartë në qytetet e mëdha të vendit por, me ndihmën e koalicionit të vet, ka marrë pothuaj 100 mijë vota më shumë se sa opozita në gjithë Shqipërinë. Ai ka marrë, gjithashtu, votat e gjysmës së banorëve të Tiranës. Dhe këtë unë e quaj alamet fitore, siç quaj alamet fitore mbi 100 mijë votat që ka marrë Ilir Meta, alias njeriu me bllok,, apo mbi 70 mijë votat që ka marrë Fatmir Mediu, alias njeriu i Gërdecit. Këto shifra të rezultatit të zgjedhjeve tregojnë, se ne vetë, që të gjithë, jemi një komb me probleme të mëdha. Një komb i sëmurë, gjithashtu.

Nga: Mustafa Nano