Të lindurit në dimër të rrezikuar nga depresioni

Nga Dorjan
Shkruar ne 17 Mar 2012 ora 3:33pm

Jeni të shenjës së Peshores, Akrepit, Shigjetarit, Bricjapit apo Ujorit? Sipas një studimi të zhvilluar mbi 840 djem dhe 653 vajza të moshës midis 10 dhe 17 vjeç dhe të publikuar në “Psychiatry Research”, në Universitetin e Bolonjës, të lindurit e këtyre shenjave janë më të predispozuar për të kaluar në depresion, duke pasur parasysh periodicitetin e shkurtër të dritës në stinën dimërore kur ata kanë lindur.

Eshtë vërtetuar me mënyra shkencore se efekti në psikikën e njerëzve mbetet për një kohë të gjatë, sidomos te femrat, gjatë gjithë fëmijërisë dhe adoleshencës, duke i dhënë në këtë mënyrë një shpjegim shkencor sensibilitetit të fortë që karakterizon të lindurit e këtyre shenjave zoodiakale ndaj ngjarjeve të ndryshme. Ky fakt mund të ndihmojë shumë në parandalimin dhe minimizimin e problemeve shpirtërore që kanë të lindurit e shenjave të dimrit.

Prej vitesh psikologët e Universitetit të Bolonjës, në bashkëpunim edhe me kolegë të tyre nga vende të tjera, janë duke studiuar për lidhjen që mund të ekzistojë mes datës së lindjes dhe zhvillimit të depresionit, fillimisht në mënyrë retrospektive, tek të moshuarit dhe tani në perspektivë, duke monitoruar edhe sjelljen e të rinjve. Në vitin 2007, një studim i përafërt kishte nxjerrë rezultate të ngjashme tek 1709 të rinj të moshës nga 10 deri 25 vjeç.

Instrumenti i përdorur nga studiuesit për të vlerësuar rrezikun e zhvillimit të depresionit nisur nga shenja zoodiakale është i ashtuquajturi SPAQ-CA (Seasonal Pattern Assessment Questionnaire for Children and Adolescents), pra, pyetësori i vlerësimit të ndikimit stinor te fëmijët dhe adoleshentët. Ky pyetësor është derivat i një metode të mëparshme të quajtur SPAQ, e përdorur te të rriturit dhe e drejtuar nga Norman Rosenthal, në Baltimora, që konsiderohet si “babai i depresionit stinor”, metodë e cila kishte në përbërjen e vet 6 blloqe pyetjesh me 2-10 nënpyetje, kurse pyetësori i përdorur për më të rinjtë është më i thjeshtë, i përbërë nga 3 blloqe dhe më pak pyetje. Ja cilat janë disa prej tyre:

1.    Rrethoni muajin në të cilin ndiheni më pak të fuqishëm, me më pak energji dhe më tepër nervoz.
2.    Disa aktivitete si gjumi, humori, pesha, aktivitetet sociale, a ndryshojnë tek ju sipas muajve?
3.    Ndjeni ndryshime midis stinëve? Kjo përbën për ju një problem të vogël, të durueshëm apo të madh?

Kushdo mund ta bëjë këtë test me veten e vet për të krijuar një ide të përgjithshme në lidhje me çështjet që i janë kushtuar këtij studimi, por interpretimi i rezultateve të pyetësorit i është lënë në dorë psikologëve, të cilët kanë përcaktuar edhe përpara këtij studimi, i cili i kushtohet lidhjes që mund të krijohet midis shenjës zoodiakale dhe depresionit, se ekzistojnë disa personalitete të ndryshme në varësi të stinës.

Të ashtuquajturit “personalitete dimërore”, gjatë dimrit bëjnë një jetë sedentare; hanë dhe flenë më shumë, duke shtuar edhe në peshë, ndërsa në verë bëjnë të kundërtën. Në muajt e verës ata e kanë më të lehtë për të zënë miqësi dhe për t’u shoqëruar me të tjerët, gjëra të cilat nuk arrijnë dot t’i bëjnë gjatë dimrit, pavarësisht se edhe në dimër nuk mungojnë rastet për të festuar apo socializuar, si p.sh, Krishtlindjet dhe Viti i Ri.