TË PASTREHËT, NDRYSHOJNË ÇMIMET E QIRASË NË TIRANË

Nga Dorjan
Shkruar ne 27 Pri 2012 ora 3:06pm

Përcaktohet vlera maksimale e bonusit të strehimit në tri zona të qytetit të Tiranës për familjet e pastreha.
Bashkia e Tiranës do të propozojë në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak që mbahet pas pak ditësh projektvendimin që vendos tavanet e subvencionit. Për të menaxhuar në mënyrë sa më të drejtë kërkesat për strehim të familjeve në nevojë, është miratuar që në vitin 2007 sistemi i pikëzimit për ta përfituar këtë bonus. Ai jepet për familjet që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë. ”Vlera e këtij bonusi nuk mund të jetë më shumë se 50% e qirasë minimale të banesave në tregun e lirë dhe vlera maksimale plotësohet çdo vit, bazuar në të dhënat e vitit të mëparshëm”, ka bërë me dije Drejtoria e Menaxhimit të Strehimit në qytetin e Tiranës. Duke iu referuar çmimeve të referencës nga tregu i agjencive imobilare, pasi as INSTAT dhe as Zyra e Regjistrimit të Pasurive nuk disponojnë të dhëna zyrtare për tregun e qirave. Të llogaritura sipas një formule specifike, Drejtoria e Menaxhimit të Strehimit ka nxjerrë vlerat minimale të qerasë për 3 zona, dhe përkatësisht vlerat maksimale të bonusit për secilën.
Bonuset për 3 zona
Zona A, e cila përfshin banesat brenda Unazës së Vogël, ka një vlerë mesatare të qirasë minimale 33.740 mijë lekë në muaj. Për këtë zonë, vlera maksimale e bonusit të qirasë që do të përfitojë një qytetar është 16.870 mijë lekë në muaj. Zona B, e cila shtrihet ndërmjet Unazës së Madhe dhe të Vogël, ka një vlerë mesatare të qirasë minimale 23.580 lekë në muaj. Vlera maksimale e bonusit që do të përfitojë një qytetar është 11 790 lekë në muaj. Zona C, që shtrihet jashtë Unazës së Madhe, ka një vlerë mesatare të qirasë minimale 13.920 mijë lekë në muaj. Bonusi maksimal që do të përfitojë një familje është 6960 lekë në muaj. ”Propozojmë që si çmim minimal të qerasë të merret vlera e ofruar nga të dhënat e agjencive imobilare, të përcaktuara sipas 3 zonave për apartamente deri në 70 m2. Propozimi bazohet në faktin se kjo vlerë rezulton të jetë më afër vlerës së tregut të lirë”, ka sqaruar Drejtoria e Menaxhimit të Strehimit në Bashkinë e Tiranës.
Formula e qirasë
Sa i përket formulës së qirasë, ajo llogaritet mbi bazën e ligjit për “Programet sociale për strehimin e banorëve në zonat urbane”. Në të përcaktohet se qiraja minimale e banesave në treg është qiraja mesatare e 10 grupeve të qirave me të cilat janë dhënë me qira apartamentet në tregun e lirë për një vit, të shprehur në lekë/m2. Drejtoria e Menaxhimit të Strehimit iu drejtua 10 agjencive në Tiranë për të marrë të dhënat e qirasë për 3 zona. ”Në pjesën më të madhe të agjencive imobilare, regjistroheshin prona të cilat jepeshin me një çmim shumë të lartë dhe jo të gjitha agjencitë kishin kërkesa apo oferta për apartamente në zonat periferike të Tiranës”, bëri me dije Drejtoria e Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës.

Zonat
Zona A:

Brenda Unazës së Vogël,
• Vlera mesatare e qirasë minimale: 33.740 mijë lekë në muaj
• Vlera maksimale e bonusit të qirasë: 16.870 mijë lekë në muaj.

Zona B:
Ndërmjet Unazës së Madhe dhe të Vogël
• Vlera mesatare e qirasë minimale: 23.580 lekë në muaj.
• Vlera maksimale e bonusit: 11 790 lekë në muaj

Zona C:
Jashtë Unazës së Madhe
• Vlera mesatare e qirasë minimale: 13.920 mijë lekë në muaj.
• Bonusi maksimal: 6960 lekë në muaj

Të ardhurat
Për vitin 2013, të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore parashikohen të jenë 5% më të larta se ky vit. Kjo përcaktohet në një tjetër projektvendim që do t’i prezantohet Këshillit Bashkiak. Bëhet fjalë për draftin “Për miratimin e treguesve ekonomikë e financiarë dhe tavaneve përgatitore të programit buxhetor afatmesëm për përiudhën 2013-2015”. “Për vitin 2014 parashikohen të jenë 6.8% më shumë se viti paraardhës dhe për vitin 2015 do të jenë 5% më shumë se viti 2014”, thuhet në projektvendim. Këto parashikime mbështeten në supozime të përgjithshme, të cilat janë të lidhura ngushtë me një sërë masash që synon të ndërmarrë Bashkia.