Të rinjtë e shkolluar keq dhe papunësia

Nga Reporter
Shkruar ne 10 Gus 2012 ora 11:23am

Ndonjëherë ëndrrat dhe zhgënjimet gjenden në të njëjtin vend. Përzihen aq keq sa që është thuajse e pamundur të dallosh njërën nga tjetra. Nuk janë më dy anë të së njëjtës monedhë, por dy ngjyra të të njëjtit spektër. E tillë është çdo ditë në Berat. Në qytetin e një-mbi-një dritareve, por që sheh qeverinë t’i mbyllë të gjitha dyert e investimeve. Në destinacionin turistik të mijëra turistëve, por me rrugë nacionale si rroba të vjetra e të grisura.

Paradoksale është çdo ditë në këtë qytet të paçmuar, por të zhvlerësuar e të harruar nga ana e atyre që Beratin e historisë, kulturës e vlerave qytetare e panë gjithnjë thjesht e vetëm si një bastion të majtë. E pikërisht për këtë arsye tani duhet ndëshkuar. Si pjesë e një familjeje beratase prej brezash, si një i ri që do të ndërtojë të ardhmen e tij në këtë qytet, si drejtues i forumit rinor politik më të madh për qytetin e Beratit, ndiej dhimbje të thellë teksa e shoh të vuajë.

Të listosh problematikat që beratasit, e shqiptarët kanë sot, duhet, për fat të keq, një natë e gjatë dimri. Ndaj, për shkak të moshës dhe pozicionit tim, do fokusohem tek problemet që kanë të rinjtë. Sepse përtej cliche-ve, shpresa për një të nesërme më të mirë është e lidhur ngushtësisht me ta. Dy janë, ndoshta, problemet më urgjente, e për rrjedhim edhe më të rëndësishmet. Të rinjtë sot janë të shkolluar keq dhe të papunë. Të thëna me mijëra herë, e megjithatë duhen thënë sërisht, derisa shurdhëria qeveritare të nisë të dëgjojë zërin e qytetarëve të vet.

Sistemi arsimor është ndër më problematikët. Një mish-mash i gatuar keq e që çdo ditë e më shumë rëndon në dëm të cilësisë. Për të nisur me maturën shtetërore, që është tashmë një sistem që nuk e justifikon më qëllimin e krijimit të saj (minimizimin e “korrupsionit” në provime) e për të vazhduar pastaj me sistemin universitar. Dhënia e licencave universitare me aq lehtësi sa hapet një fast-food nuk e ka rritur cilësinë e universiteteve përmes mjeteve të konkurrencës së lirë. Përkundrazi (shembujt e fundit mediatikë janë dëshmitarët më të mirë) masivizimi i universiteteve ka ardhur bashkë me koston e uljes së cilësisë. Nga ana tjetër, universiteti publik dhe ai privat nuk kanë shërbyer si dy pjesë komplementare që plotësojnë njëra-tjetrën, por shpesh njëra (universitetet private) ka dëmtuar tjetrën (universitetet publike). Nga ana tjetër, problemi tjetër madhor i të rinjve është punësimi, që nis me marrjen e një diplome papunësie e që nuk përfundon kurrë, por zgjat pafund, në një eksod rraskapitës të të rinjve me diplomë në duar, që nuk arrijnë të gjejnë vende pune.

Në këtë mes, qeveria është përgjegjësi kryesor. Së pari, sepse ajo është përgjegjëse direkte për rregullimin e mekanizmave të duhur për krijimin e nxitjen e vendeve të punës; dhe së dyti, sepse në një masë të madhe vendi i punës në Shqipëri është i lidhur me bindjet partiake. Lidhjet nepotike janë sot CV-ja më e mirë e çdo pseudoaplikanti, duke prodhuar kështu një sistem tërësisht të padrejtë, që dëmton jo vetëm individin, por krejt shoqërinë. Në kontrast me këtë, është i domosdoshëm një model i ndërtuar mbi meritokracinë e konkurrencën e lirë, në kushte të barabarta. Sepse, ndryshe, po shkatërrojmë të ardhmen e një pjese vitale të rinisë, të asaj pjese që është e zotë, por e pafuqishme.

Punëtore, por e papunë. Të jesh i ri në një qytet si Berati është e vështirë. E megjithatë ka ende shpresë, për aq kohë sa ka ende të rinj.

Nga: Erind Mile