Të vallëzosh tangon e fundit në Paris

Nga Edmond Prifti
Shkruar ne 21 Pri 2011 ora 2:09pm

Vdekja ishte ulur këmbëkryq disa ditë më parë, aty në apartamentin e rrugës “Zhyl Vern”. Gjaku ende po shtrydhej në kovë nga pastruesja. E stërmundonte shpirti. Ai ndihej keq dhe njëkohësisht mposhte trishtimin me ato tingujt e saksofonit të algjerianit, që vinin nga dera përballë. Mendonte njëherazi për seksin lakuriq, pa dashuri dhe pa ndjenjë, që iu duk tërheqës në atë gjendje ku ndodhej. E kishte bërë të harronte kotësinë e shpresave dhe vdekjes së pashmangshme, përmes pasionit të pamposhtur që pushtonte njeriun, duke i hequr atij çdo aftësi arsyetimi dhe mendimi…

Ai (Marlon Brando), një amerikan 45-vjeçar, i cili jeton në Paris dhe i obsesionuar nga vetëvrasja e së shoqes… në rrugën e mundimshme të gjetjes së shkakut. Ajo (Maria Schneider) një femër e këndshme parisiane 20-vjeçare, e fejuara e një regjisori të ri. Nuk do t´i njihnin emrat e tyre kur këta dy shpirtra të sakatuar u takuan për të plotësuar dëshirat seksuale në një apartament të boshatisur, njësoj si edhe jetët e tyre të fundosura tragjikisht. Njëherazi të çuditur nga ritmi frenetik i trupave të tyre, të dy nuk dëshirojnë të ndalen, duke i lënë të lira pasionet e tyre drejt “vdekjes së vogël”. Ata të kujtojnë shkulmin e papërmbajtur të tangos latino-amerikane. “E kaluara, e cila përpiqet dëshpërimisht të ndërtojë fundin e tyre, transformohet njëherazi në pamundësinë e intuitës për mbijetesë…”, është shprehur Giorgio Cremonini i “Cinema Nuovo”-s në vitin 1973, një vit pas shfaqjes së filmit. Ky ishte sinopsi i shkurtër i filmit më të diskutueshëm dhe më pas i librit të botuar nga Robert Alley: “Tango e fundit në Paris”. I nominuar me dy çmime “Oscar” (Aktori më i mirë dhe Regjisori më i mirë) dhe emetues i një energjie seksuale plot forcë si asnjë film tjetër para tij, ky klasik modern, ishte shkëndija që shokoi kombe dhe që ndërroi fytyrën e asaj forme të artit. Por filmi i regjisorit Bernardo Bertoluçi shkaktoi një skandal të madh për skenat e seksit anal dhe gjalpit të përdorur si lubrifikant. U prenë imazhe nga origjinali, skenat e penetrimit dhe ejakulimit. Referencial për skenat e seksit anal, Maria Schneider deklaroi në Korrik 2007 për “New York Post”: “Ai pasazh nuk ishte në skenarin origjinal! E vërteta është se ajo ide i erdhi Marlonit… Më duhet të thërrisja agjentin tim, i cili erdhi së bashku me një avokat në xhirimet e asaj skene, pasi askush s’mund të forconte dikë duke bërë diçka jashtë skenarit. Skena kishte përfunduar dhe unë po qaja me lot të vërtetë. U ndjeva e turpëruar, por, të them të vërtetën, edhe paksa e përdhunuar… Falë Zotit ishte vetëm një skenë…”, duke shtuar: “Unë kurrë nuk kam përdorur më në gatim gjalpin, por vetëm vaj ulliri”. Schneider ishte vetëm 19 vjeç, një aktore e re e shkollës së kinematografisë franceze. Filmi mbeti i përjetshëm. Madje edhe në mendjet e shqiptarëve, që ndalën frymën për 136 minuta, kur televizorët u kthyen në kanalin jugosllav aty rreth viteve ´80. A përdorën shqiptarët vaj në vend të gjalpit, këtë ndoshta askush s´mund ta thotë me siguri, por në vendin ku u prodhua dhe u shfaq filmi për herë të parë – në Francë – të jeni të sigurt!

Njohja pa emra…

Emrat e tyre s’kishin rëndësi. Të paktën ai nuk dëshironte ta thërrisnin me emër, ngase nuk i hynte në punë. Sipas tij, “njerëzit harrojnë gjithçka që dinë, gjithë jetën e tyre, por edhe kujtimet…”. Do të ishin veçse dy trupa që u ndeshën në kaosin e botës së djeshme, e ngjashme me të sotmen në dallgët e errëta të pasioneve. Në përpjekjen e njohjes së thellësisë brenda njëri-tjetrit apo kënaqësisë, ata nuk ditën të ndalnin trillet e epshit… U panë për herë të parë në një galeri të metrosë së Parisit. Ai do të dallonte objektin e joshjes së radhës, diçka më tërheqëse se të tjerat, por gjithsesi një objekt, që fati i verbër ia hodhi rrugës së endjeve të tij të pakuptimta përmes jetës. Ajo, ishte e fejuara e Tomit dhe diskutonte me të vetëm abstrakten, duke pasur një karakter të përgjithshëm. Atij iu duk fillimisht si kurvickë e pispillosur, kur i kishte kaluar atje pranë në galeri, ndërsa ai kishte sytë e përlotur. Sërish si hije, e takon te apartamenti me qira që po kërkonte edhe ajo. Në fakt, vetëm disa kohë më parë kishte qenë i tiji, vetëm se pluhuri e kishte pushtuar. Disa minuta heshtjeje. Të dy mendonin për njëri-tjetrin, e dinin se ç’do të vijonte, e prisnin atë… Ajo e mbërtheu prej qafës aq të fuqishme si trung peme dhe zuri t´i fërkonte muskujt në shpinë, nën pallton prej cope të lëmuar. Mbante pak era thartirë, djersë dhe diçka tjetër që ajo nuk e përcaktonte dot – erë burri, erë mashkulli… Si të merreshin vesh pa fjalë, njëkohësisht nisën t´i hiqnin rrobat njëri-tjetrit. Ajo e zuri nën pantallona, ai ia futi dorën nën fund, ia mbërtheu të mbathurat në grusht dhe ia çori me një të tërhequr… Në atë dhomë kishin përjetuar çaste të magjishme, i burgosuri dhe gardiania apo kësulëkuqja dhe ujku. Ai hapi derën dhe u zhduk rrugicave. Kësaj radhe ajo do të vraponte për t´iu hedhur në qafë të fejuarit të saj, i cili po vinte drejt Parisit dhe që i kishte përgatitur grupin e xhirimit. Tomi e puthi, ndërsa ajo me ironi që nuk arrinte dot në trurin e budallenjve apo të kalamajve iu përgjigj: “Mendoja për ty ditë-natë dhe qaja. I dashur nuk jetoj dot pa ty…”. Më kot ajo zbulonte të mësonte diçka prej amerikanit, pasi përgjigjet ishin vetëm: “Të shtunën mbush nëntëdhjetë e nëntë vjeç… edhe në qoftë se do rrëmosh thellë në xhepat e mi, nuk do gjesh gjë, pasi unë fshihem pas zinxhirit të pantallonave… kam studiuar në Universitetin e Kongos dhe atje kam mësuar se si palloheshin balenat”. Por asaj brisku i tij i dukej si brisk i një berberi profesionist… ose brisk psikopati! Të dy luanin një lojë të heshtur dhe të pranueshme. Atë mashkull në fakt e bezdisnin të gjitha këto pyetje dhe teori, pasi sipas atij, “femrat shtiren sikur e dinë se kush jam ose mendojnë që unë nuk i di se kush janë ato. E kjo është tepër e mërzitshme”. Ngjarjet dhe intrigat ndjekin njëra-tjetrën. Çfarë ndodh me dy personazhet dhe atë gjysmën, Tomin?! Çfarë zbulon ai në lidhje me vetëvrasjen e parapërgatitur të gruas së tij Rozës? Çfarë do të ndodhë me pasionin e zjarrtë të Polit dhe Zhanës? I gjithë romani, në fakt, bazohet në ngjarjet e filmit. Gjatë tri javëve, duke punuar nga dymbëdhjetë orë në ditë, autori Robert Alley i ktheu në prozë linjat dhe dialogët e skenarit, duke rrëfyer pasionet e papërmbajtshme që e bëjnë njeriun të humbasë arsyen. Botimi i librit përkoi me kohën e daljes në ekranin e madh të filmit. Me subjektin intrigues libri theu rekordet e shitjeve dhe arriti tirazhin e tre milionë kopjeve.

Mendimet e një përkthyesi

“Libri është shkruar në kërkesën e shtëpisë botuese. Realisht është një libër i bujshëm në vetvete, pasi për mendimin tim duket një trajtim jo thjesht seksual, se sa njerëzor në botëkuptimin tragjik”, shprehet përkthyesi i librit, Sokrat Gjerasi. “M’u duk fillimisht se qëllimi kryesor ishte komercial me fitim të parashikueshëm, në bazën e filmit të etur. I fundit, nuk më la realisht një përshtypje më pak të këndshme, sesa përkthimi i kësaj vepre”. Ndërsa për dy personazhet, Polin dhe Zhanën, Gjerasi i ka komentuar “Karakteri më interesant është Poli dhe marrëdhëniet e tij me atë grua, me portieren… më tepër me botën e tij, në atë jetën e dikurshme tejet të bujshme, se me Zhanën. Ai kishte pasione të çastit, pavarësisht se duhet të mbante përgjegjësinë e ndjenjave për të. Zgjedhja interesante është mllefi i vajzës që nisi marrëdhënien me shumë dëshirë, deri te vdekja e ndjenjës dhe fundi i trishtë…”. Sokrat Gjerasi ka përmendur edhe mentalitetin e brezit të tij për këtë libër, duke thënë se “Brezi im, ndoshta e quante të tepërt, për shkak të normave të moralit të ashtuquajtur komunist. Por e pranojmë se ndjenja mbetet ndjenjë, qoftë e prirur ajo edhe nga ana seksuale, që është gjëja më e fortë njerëzore. Harron që je endacak, profesor apo president…”.

Maria Schneider

Me emrin e lindjes, Marie Christine Gélin (27 mars 1952), ajo ishte e bija e aktorit francez Daniel Gélin (“A digjet Parisi?”) dhe modeles gjermane Marie-Christine Schneider. Në karrierën e saj filmografike janë më shumë se 30 filma, por ai me suksesin më të jashtëzakonshëm ishte pikërisht roli e Zhanës te filmi “Tango e fundit në Paris”. Pas filmit, ajo u zhduk për një kohë, duke rënë në varësinë e heroinës. Në vitin 1974, Schneider deklarohet si biseksuale, ndërsa tre vit më vonë, gjatë xhirimeve të filmit “Ai objekt obskur i dëshirës” (Luis Buñuel – 1977), përjashtohet nga sheshi i xhirimeve dhe zëvendësohet nga dy aktoret: Ángela Molina dhe Carole Bouquet. Shtrohet vetë në një spital për të sëmurë mendorë në Romë, me një femër për të cilën ajo deklaroi më vonë se kishte qenë e dashura e saj. Rishfaqet sërish në vitin 1996 në filmin “Jane Eyre”, të regjisorit Franco Zeffirelli dhe si në rolin biografik, në filmin “Les Acteurs” (Aktoret – 2000).

Marlon Brando

Aktori lindi në prill 1924 dhe vdiq në korrik 2004. Është vlerësuar nga “Academy Award”, si aktori që iu përkushtua skenës më shumë se gjysmë shekulli. U konsiderua gjithashtu si: Mashkulli i Artë i të gjitha Kohërave, nga Instituti Amerikan i Filmit. Brando u njoh së tepërmi në filmat: “Makina e quajtur dëshirë” i regjisorit Elia Kazan në vitin 1951, por edhe në rolin e Vito Korleones te “Kumbari” (The Godfather), në rolin e kolonelit Walter E. Kurtz në “Apocalypse Now”, – të realizuara nga regjisori Francis Ford Coppola në vitet ´70. Për seksualitetin e Brandos ka pasur shumë debate. Në vitin 1976 në librin biografik të Gary Carey, “The only contender”, Brando thotë se: Si shumë meshkuj të tjerë, edhe unë kam pasur eksperiencat e mia homoseksuale dhe s’më vjen turp. Si më i diskutuari ka mbetur aktori Wally Cox. Brando ka thënë për të: “Në qoftë se ai do të ishte femër, unë do të martohesha dhe do të kisha një jetë të mrekullueshme me të”. Pasi Cox vdiq, Brando mbajti eshtrat e tij për 30 vite, ndërsa sot ato ndodhen pranë trupit të Marlon Brandos. Gjatë xhirimeve të filmit, “Makina e quajtur dëshirë” në kopshtin e Vivien Leigh, David Niven sheh rastësisht se si Brando po puthte në pishinën e vilës aktorin Laurence Oliver…