Tejskaji i rrenimit shpirtëror

Nga Sage
Shkruar ne 26 Maj 2011 ora 4:00pm

Ngjarjen e mëposhtme ka kohë që e vërtis në mendje, pa guxuar ta përshkruaj e ta paraqes, se sa herë e kujtoj rrëqethem plot dëshpërim, pasiguri e mosbesim. Dilemën time e kundërshton detyra si qytetar. Ndaj, boll 150 ditë, nuk e mbaj dot më.

U nisa i vetëm nga Tirana me auto veturën time herët në mëngjesin e datës 15 dhjetor 2010 dhe në ora 9.30 isha para Bar Restorant “Rosi” në rrugën Vlorë-Skelë. Kisha mbërritur në kohë për takimin e përditshëm tradicional, për të pirë bashkërisht kafenë e mëngjesit me disa shokë të mi të vjetër vlonjatë. Isha i larguar që prej dy muajsh në Tiranë, ndaj me shokët e mi u çmallëm dhe biseduam të qetë për gjendjen shëndetësore e familjare dhe për hallet e gëzimet e secilit. Pas kësaj, se bashku me dy prej tyre, siç kisha rënë dakord në telefon, shkuam në lagjen Skelë të Vlorës, pranë ish Kombinatit dhe parkuam aty auto veturën.

Unë, të nesërmen, do kthehesha në Tirane për t’u nisur te im bir në Çikago të Amerikës dhe, meqë aty do të qëndroja paksa gjatë, mendova ta parkoja për ta ruajtur më mirë makinën, jo jashtë dhe buzë rrugës në Tiranë, po në Vlorë, në një vend të mbuluar, ku kisha vend parkimin tim dhe ku kushtet ishin më të mira.
Pasi kjo punë u krye shpejt, mendova të shkoja 5 minuta në apartamentin tim aty afër, në katin e nëntë, që e kisha lënë të mbyllur me dyer e dritare kur isha larguar për dimërim në Tiranë para dy muajsh. Mendova të hapja dritaret për të ajrosur shtëpinë dhe të lija aty një çantë me teshat që kisha me vete, ngaqë do të flija atë natë aty.

I rrotullova çelësat e të dy bravave, të vendosura enkas për ta siguruar më mirë apartamentin gjatë kohës së gjatë të largimit dhe shtyva portën. Çuditërisht ajo portë nuk po hapej plotësisht, se pengohej nga ganxha e bllokimit, që zakonisht unë e vendosja nga brenda për efekte sigurimi apo mospranimi në rastet e veçanta, kur mund të trokasë nga jashtë porte ndonjë vizitori i papranueshëm.

U hutova për një çast dhe pyeta veten: Pse nuk po hapet plotësisht porta e shtëpisë sime? Duket, dikush e ka mbyllur me ganxhën e sigurimit nga brenda mendova, se nga jashtë porte, ganxha as që mund të vendoset!

- A mos ka njeri brenda? Kush do jetë aty?

Hedh sytë në hapësirën e krijuar nga çelja e pjesshme e portës dhe tej në thellësi shoh të hapura, si grillat e verandës edhe portën e madhe dykanatëshe të saj.

E kuptova se çkish ngjarë dhe një si frikë, ankth e dëshpërim më pushtoi të tërin: Ndodhesha para një vjedhjeje misterioze të sofistikuar shtëpie, nga ato që siç pata dëgjuar, kishin ndodhur shpesh në atë shkallë pallati kohët e fundit. Duket ishte radha ime.

Zbrita shpejt me ashensor poshtë, takova dhe njoftova të dy shokët e mi për ngjarjen skandaloze. Mora në ofiçinën e nipit tim aty pranë, një daltë dhe një çekan dhe u ngjitëm lart. Pasi e premë, duke e goditur me daltë ganxhën bllokuese prej llamarine, hymë njëherazi të tre në shtëpi.

Po, ishte një bastisje e përplot. Të gjitha sirtarët e komove, komodinave, kanatet e dollapëve, raftet e librave, valixhet ishin të hapura e të shqyera. Plaçka të nxjerra pa kujdes dhe të shpërndara sheshit, mbi krevatet, të hedhura tutje tëhu e njëra mbi tjetrën ngado, si të ishte një kontroll rrënjësor hetimor.
Aty për aty, mu vështir prezenca në atë ish shtëpinë time, që e kishte selitur aq me kujdes ime shoqe, ndërsa tani e shihja të çkapërditur e të dhunuar barbarisht.
Kontrollova së pari disa dokumente pasurore e shkresore. Nuk i kishin marrë ato. Mungonin nga sirtari i dokumenteve vetëm ca para të lëna aty rezervë për të paguar dritat, ujin, telefonin dhe internetin, që nga përvoja: shtohen e shtohen edhe kur nuk përdoren e nuk janë aktivë, edhe pse me drita fikur dhe rubinete mbyllur…
Tjetër gjë nuk konstatova të ishte vjedhur në dhomën e gjumit. Edhe nga kuzhina nuk dukej të ishte marrë gjë me rendësi, megjithëse pash të nxjerra jashtë nga raftet dhe të lëna mbi tavoline deri shishe me vaj, me raki dhe me verë. Pra vjedhësit nuk ishin aq të varfër dhe as pijanecë apo të uritur.

Në dhomën e fëmijëve po, konstatova vjedhje me vlera të konsiderueshme: Mungonte kompjuteri komplet me monitorin pjatë, tastierën, etj., prodhim bashkëkohor i blerë para gjashtë muajsh, si dhe një laptop i përdorur. Me erdhi keq për kompjuterin ku ishin shkrimet e mia shume vjeçare, të grupuar në 5 libra, thuajse të gatshme për botim, gati për redaktimin përfundimtar si dhe shkrime e krijime të tjera në proces përpunimi…
Dola në verandë dhe pash të prishur bravën e depos. Andej ishin vjedhur shumica e veglave të punës me dorë (që është dobësia ime) si: një shpues i fuqishme elektrik edhe një tjetër shpues me bateri (vidiator me karikuesin dhe bateri rezervë), guri smeril fresibël, dy sharra druri elektrike, një vazo e bukur artistike lulesh, etj.
Hajdutët, pasi kishin thyer dhe shpërthyer portën e mbyllur me dry të tarracës, nëpërmjet çatisë së depos, kishin zbritur në verandën e katit të nëntë, kishin hequr e shkulur dy fletë të mesit të grilës së portës së madhe, kishin hapur nuk e di sesi, po me leva, mjete dhe me teknologji të posaçme, si profesionistë pa i thyer xhamat e portës dy kanatesh të verandës dhe kishin shqyer me goditje të forta drynin e depos. Prej andej kishin nxjerrë dhe dy tavolina dhe karriget dhe me lehtësi, duke u ngjitur me ndihmën e tyre, kishin transportuar, po nga tarraca gjithë ato sende që për ta ishin më me vlerë e më të nevojshme për ta. Ata, prandaj e siguruan edhe mbylljen me ganxhë nga brenda portën kryesore hyrëse. Kjo u krijonte kushte për të vepruar pa u nxituar e të sigurt.
Ndofta, më tha një nga shokët e mi dëshmitarë të ngjarjes, ata, pasi pinë nga një gotë me verë (shishja me verë dhe gotat ishin mbi tavolinë) patën kohë edhe të bëjnë një dush, për të larë gjynahet brenda shtëpisë, se ju kini privilegjin që ata ndofta nuk e kanë, 24 orë ujë të ngrohtë nga paneli diellor. Ata, vazhdoi të thotë shoku im, me shaka, kanë qenë “social terroristë” dhe kanë realizuar, si dikur bashkëpartiakët e tyre, ndarjen me forcë e deri me grabitje të pasurisë, për të arritur “barazimin social”.

Ata, them edhe unë, se mendoj që kanë qenë dy aty dhe ndonjë i tretë jashtë për t’i ruajtur dhe sinjalizuar nga ndonjë e papritur, janë ringjitur në tarracë me ndihmën e karriges dhe dy tavolinave, të vendosura njëra mbi tjetrën kanë zbritur shkallët nga tarraca të qetë dhe pa u nxituar, kanë marrë, po qetësisht ashensorin dhe janë larguar me mallin e vjedhur të vendosur në borseta, drejt furrikut të tyre aty pranë, pa u rrezikuar nga askush.
Po vallë cilët janë këta, hajdutë profesionistë e qibarë dhe që vërtetë marrin e grabisin, po edhe lënë, që shqyejnë panxha, grilla, po nuk i thyejnë xhamat?
Mendoj se janë po ata që kanë kryer vjedhjen, deri tani, të pesë apartamenteve të tjerë të shkallës sonë: Të Sokolit, Gjergjit, Minellës, Thanasit e deri të dyqanin e fruta perimeve të Llambit, duke grabitur, si gjithnjë të njëjtët objekte: para të thata, arturina ari dhe argjendi dhe pajisje kompjuterike, që ndofta i shesin lirë te njerëz pro hajdutë e bashkëfajtorë, për t’i kthyer ndofta edhe në narkotikë.
Kisha dëgjuar nga të tjerë për raste analoge vjedhje e bastisje shtëpish, po gjendja që përjetova unë në ato çaste atje, më mbushi me dëshpërim e urrejtje për këta bastardë të shoqërisë, duke menduar për një mundësi konfrontimi dhe ndeshje me ta po të ndodhesha aty, në çastin e cenimit aq dhunshëm të shenjtërisë së vatrës familjare. Kjo gjendje momentale më zveniti dëshirën për të qëndruar i qetë në shtëpinë time, që pati radhën për t’u shkelur e bastisur.

Për këta hajdutë shtëpish, siç më thanë, është në dijeni, se është njoftuar rast pas rasti edhe ”i plotfuqishmi”, që banon aty afër dhe nga ky, pa dyshim dhe organet e rendit, që deri tani, mbase i kanë në ndjekje, por ende, për arsye sekrete strategjike, nuk kanë vepruar.
Kjo tregon tejskajin e rrënimit të tyre shpirtëror, që me siguri do jetë kufiri ekstrem i rrënimit psikik e moral dhe mbase shpejt edhe rrënimin fizik dhe ndalimi i tyre, si dhe i dënimit e demaskimit të bashkëpunëtorëve (blerës) të pandershëm, si dhe i sehirxhive të tyre, komshinj indiferent (që harrojnë se mund të vijë edhe radha e batisjes së tyre).

Kjo, siç morra vesh për fat të keq, është gjendja aktuale edhe në disa zona e lagje të tjera të qytetit.
Po, përmirësimi i kësaj gjendjeje të pa durueshme dhe të papranueshme, që të kujton periudhën e dominimit të krimit mafioz te disa qytete edhe të botës së qytetëruar në kohë të veçanta, duke përfshirë Napolin, Çikagon, etj., kërkon në radhë të parë, impenjimin serioz të organeve përkatëse, të atyre që për këtë detyrë paguhen nga taksapaguesit.
Edhe vetë qytetarët duhet secili të organizojë më mirë sistemin e sigurisë dhe të ruajtjes se objekteve të tyre, sipas shembullit perëndimor, deri në organizimin e administratave përkatëse të ruajtjes dhe shërbimit në godinat e mëdha, të forcimit të dyerve dhe çelësave, si dhe pse jo edhe të vendosjes së sistemeve sinjalizuese dhe të alarmit.
Kjo kërkon, gjithashtu, të vihen në dispozicion, për parandalimin, kapjen dhe dënimin e grabitësve, më shumë fonde të buxhetit personal e sidomos të atij shtetëror.
Gjithashtu paralelisht, kërkon masa e presion më të fuqishëm shoqëror e shtetëror, në luftë me papunësinë, drogën dhe degjenerimin moral, nëpërmjet edhe të formave të larmishme të shtrëngimit dhe të dhunës, kombinuar me ballafaqimin ndaj opinionit publik e familjar, kontroll më të kujdesshëm policor e doganor të lëvizjes migratore, si dhe forcimin e ligjeve dhe rreptësisë së organeve gjyqësore.
Një vend të rëndësishëm në politikën shtetërore me të rinjtë (se mendoj që më së shumti këta mostra janë adoleshentë) mendojë se duhet të zërë përsosja e organizimit dhe e drejtimit të edukimit dhe shkollimit dhe të shtimit e inkurajimit të veprimtarive masive kulturore e sportive, në luftë me drogën, alkoolin, duhan pirjen dhe rrugaçërinë.
Këto drejtime të përhershme të punës shtetërore e shoqërore të edukimit të pandërprerë të rinisë, mendoj se sot në njëfarë mase, i janë lënë spontanitetit, në mëshirë të fatit dhe pa programet e domosdoshme dhe draftet e posaçme.

Këto ndodhin, siç më duket mua, veç sa thamë më lart edhe nga preokupimi më i shumtë i Shtetit dhe i Partive, kryesisht për problemet dhe interesat partiake, për fushatat e gjata zgjedhore dhe luftën e egër për pushtet e pasurim vetjak të shpejtë të tyre.

Vlorë, 20 Maj 2011

Nga: Luan Çipi