Tension në Ballkan, 700 ushtarë të SHBA vizitë në Shqipëri

Nga Dorjan
Shkruar ne 19 Pri 2012 ora 2:29pm

TIRANE- Qeveria shqiptare përmes një vendimi të djeshëm ka lejuar hyrjen dhe qëndrimin e përkohshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë të një force ushtarake amerikane, të përbërë nga 685 trupa, ekuipazh i anijes ushtarake zbarkuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës “USS GUNSTON HALL” (LSD-44). Hyrja, qëndrimi dhe dalja e forcës ushtarake amerikane do bëhet në portin e Durrësit. 

Qëndrimi i tyre në vendin tonë do jetë për periudhën 24 prill 2012 deri në 27 prill 2012. Qëllimi i qëndrimit të përkohshëm të kësaj force ushtarake amerikane sqarohet se është për vizitë portuale. Por kjo vizitë e 685 trupave amerikane në vendin tonë vjen në një moment kur tensionet ndëretnike në Kosovë e Maqedoni po kthehen në një problem shqetësues. Ndërkohë sipas vendimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave, trupat amerikane gjatë hyrjes, qëndrimit dhe daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë “do të kenë statusin e parashikuar në marrëveshjen ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut, për statusin e forcave, nënshkruar në Londër, më 19 qershor 1951, dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr.10101, datë 26.3.2009, si dhe statusin e parashikuar në marrëveshjen plotësuese, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të marrëveshjes mes shteteve palë në Traktatin e Atlantikut të Veriut dhe të shteteve të tjera pjesëmarrëse në partneritetin për paqe lidhur me statusin e forcave të tyre, ‘Mbi statusin e forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë’, nënshkruar në Tiranë më 31.3.2004, dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr.9246, datë 24.6.2004″.

Gjatë hyrjes, qëndrimit dhe daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë, trupat amerikane të shoqërohen nga njësi të armatosura të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Për zbatimin e këtij vendimi qeveria ka ngarkuar ministrin i Mbrojtjes, Arben Imami, atë të Brendshëm, Bujar Nishani, ministrin e Financave, Ridvan Bode si edhe ministrin i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi.