TIRANË, GRABITET NATËN MAKINA E PROKURORIT, PRODHIM I VITIT 2007

Nga Dorjan
Shkruar ne 14 Pri 2012 ora 3:23pm

TIRANE – Hajdutët e makinave nuk kursejnë as prokurorët. Automjeti në pronësi të prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, Bilbil Mete, është vjedhur ditët e fundit. Policia tha se makina tip “Mercedes”, ngjyrë gri, me targë TR 2766 R, është vjedhur gjatë natës duke gdhirë dita e martë, pranë shtëpisë së prokurorit në Laprakë të Tiranës. Prokurori Bilbil Mete e ka konstatuar ngjarjen vetëm pak minuta pasi hajdutët i kishin vjedhur makinën dhe menjëherë ka telefonuar në Sallën Operative. Shërbimet e Komisariatit Nr. 3 kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe menjëherë kanë nisur hetimet për zbulimin e autorëve, edhe pse ende nuk janë identifikuar. Burime nga Policia thanë se pas kësaj ngjarjeje mund të fshihen persona që kanë pajisje të sofistikuara për vjedhjen e automjeteve, pasi makina që i është vjedhur prokurorit, është e vitit të prodhimit 2007 dhe nuk mund të hapej lehtë. Por ky nuk është rasti i parë që prokurorit Milbil Mete i vjedhin makinën. Edhe në vitin 2006, automjeti i tij u grabit përballë një lokali pranë qendrës së Tiranës. Për rastin e parë policia arriti të identifikojë dhe të arrestojë autorët, të cilët ishin dy djem nga Laçi. Gjatë deklarimeve të tij, prokurori Mete dëshmoi se më datë 13 shtator 2006, në krahun e majtë të rrugës që të nxjerr në qendër, përballë me bar-kafe “Moxart”, rreth orës 20:30-21:00, i kanë vjedhur automjetin, të cilin e kishte në përdorim, tip “Benz  Mercedes 200”, me ngjyrë të zezë, me targë TR 7927 H. Rreth një javë pas ngjarjes, Policia e Tiranës arriti të arrestojë autorët e dyshuar të vjedhjes, Alfred Prenga dhe Preg Lleshaj. Gjatë marrjes në pyetje, të dy të arrestuarit kanë pranuar se kanë vjedhur automjetin me targë TR 7927 H, dhe këtë automjet e kanë transportuar në fshatin Dilbnisht, ku ia kanë shitur shtetasit Mhill Ndreca. Personi në fjalë, që njihej edhe me emrin Hil Kamberi, e ka blerë makinën për shumën 60 mijë lekë të rinj. Madje, nëpërmjet arrestimit të tyre, policia arriti të zbulojë një rrjet të sofistikuar personash që vidhnin kryesisht makina luksoze. Ndërsa aktualisht, pas vjedhjes së makinës së dytë të prokurorit Mete, ende nuk është arritur identifikimi i ndonjë prej autorëve të mundshëm të ngjarjes.

Misteri i hapjes
Për agjentët e Policisë mbetet mister mënyra se si autorët e ngjarjes kanë arritur të hapin makinën e prokurorit. Sipas Policisë, automjeti, prodhim i vitit 2007, është vështirë të hapet me mjetet rrethanore që përdoren zakonisht nga hajdutët e makinave.