Tiranë, granatë tek dera, vdes zv/menaxheri i fabrikës së çimentos.

Nga Dinejda
Shkruar ne 09 Maj 2012 ora 10:27am

TIRANË- Një shpërthim në orët e para të mëngjesit të sotëm, në një banesë pas Ambasadës Amerikane i ka marrë jetën një shtetasi palestinez.

Policia e kryeqytetit deklaron se shpërthimi ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit dhe ka ardhur si pasojë e një granate që i kishin vendosur palestinezit Anwar Rizik, në derën e banesës. 

Mësohet se Rizik para shpërthimit kishte shoqëruar djalin në shkollë, ndërsa granata ka shërthyer teksa ai po dilte për herë të dytë nga banesa dy katëshe, ku jetonte. Ekspertët sqarojnë se granata mund të ketë qëne e telekomanduar. Sipas burimeve nga vendngjarja, ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga plagët e marra.

Raportohet se palestinezi ishte zv. menaxher në fabrikën e çimentos së Fushë-Krujës, ndërsa ekspertët e kriminialistikës pranë policisë së Tiranës, që ndodhen ende në vendngjarje po hetojnë nese shpërthimi lidhet me detyrën e tij në fabrikë, apo ka ardhur për shkaqe të tjera. Shtetasi palestinez jetonte prej disa kohësh në Shqipëri, madje ishte edhe i martuar me një shtetase shqiptare.

Nga shpërthimi janë dëmtuar edhe disa makina pranë baneses, ndërsa është vënë në alarm e gjithë zona, për shkak edhe të afërsisë që kishte me Ambasadën Amerikane.