Tiranë, gruaja me dy fëmijët tentoi të hyjë në kryeministri

Nga Dorjan
Shkruar ne 24 Mar 2012 ora 2:22pm

TIRANE-Një ngjarje e veçantë është regjistruar gjatë paradites të së enjtes pranë ambienteve të Kryeministrisë, ku një grua së bashku me dy fëmijët e saj ka tentuar të hyjë brenda rrethimit të institucionit.

Ngjarja në fjalë është raportuar në Sallën Operative rreth orës 11:45 të ditës së enjte, kur ka qenë një punonjës i Kryeministrisë, i cili ka telefonuar se është një grua me dy fëmijë që tenton të futet brenda ambienteve të godinës së qeverisë. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, një Patrullë e Komisariatit Nr.1 ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe pasi ka marrë në pyetje gruan e ka shoqëruar atë për në banesën e saj. 

Ndërkaq, nuk bëhet i ditur identiteti i gruas që ka tentuar të hyjë në Kryeministri.

Nga deklarimet e para mësohet se, gruaja ka qenë në gjendje të rëndë emocionale dhe ka kërkuar të gjejë zgjidhje duke takuar Kryeministrin, por është këshilluar nga punonjësit dhe efektivët e policisë që të paraqitet sipas rregullave të përcaktuara qartë për takimet me Këshilltarët e Kryeministrisë. Ky nuk është rasti i parë që persona të ndryshëm, të dëshpëruar nga problemet e tyre kërkojnë të kalojnë me forcë gardhin rrethues të Kryeministrisë.