Tirane, policia, sekuestrohen disa automjete të vjedhura

Nga Dinejda
Shkruar ne 21 Maj 2012 ora 12:38pm

TIRANË- Disa automjete, që rezultojnë të vjedhura jashtë Shqiperisë, u sekuestruan në kryeqytet, në një operacion të Policisë së Tiranës ditet e fundit.

Burime zyrtare nga Policia e Qarkut bënë të ditur sot se Sektori Kundër Trafiqeve të Paligjshme, në kuadër të Operacionit te koduar “Rrjeta II”, përgjatë kësaj fundjave bëri të mundur sekuestrimin e disa automjeteve, të cilat rezultojnë të vjedhura jashtë kufijve të Shqipërisë.

Kështu, në rrugën “Sami Frashëri” u bë bllokimi dhe sekuestrimi i automjetit tip “Rover”, me targë TR 0909 N, në pronësi te shtetasit Agim Rama, 54 vjeç, banues Tiranë, i cili do te hetohet në gjëndje të lirë. Ky automjet, u bllokua pasi nga verifikimet e bëra në sistemin ASF2 të Interpolit, rezulton se është i denoncuar si i vjedhur ne Itali, me date 4 maj 2007. Ndërkohë, u realizuan veprimet e para proceduriale për automjetin tip “Ford”, me targë TR 3749 L, i cili sipas informacionit te ardhur nga Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor Tiranë, rezulton i vjedhur në Bullgari. Po ashtu, veprime hetimore u ndermorën dhe për automjetin tip “Benz”, me targë TR 5550 B, i cili sipas informacionit te ardhur nga Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor Tiranë rezulton i vjedhur në Bullgari.

Gjithnje sipas policisë, u realizuan veprimet e para proceduriale edhe për automjetin tip “Fiat Croma”, me targë TR 3786 D, i cili rezulton i vjedhur në Itali me 22 qershor 2003.

Nga verifikimet e kryera deri tani rezulton se mjeti ne fjalë është në pronësi të shtetasit Rexhep Kalo, ndërsa po punohet për gjetjen dhe sekuestrimin e mjetit ne fjalë si dhe shoqërimin e shtetasit për sqarimin e rrethanave të çështjes.