Tiranë, sherr mes të rinjsh, policia parandalon një krim të mundshëm

Nga Dorjan
Shkruar ne 18 Mar 2012 ora 12:15am

TIRANE – Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë nr.3 në Tiranë, pas një njoftimi nga salla operative për një konflikt midis disa të rinjve tek Stacioni i Trenit, shkoi menjëherë në vendngjarje, duke bërë të mundur kapjen e shtetasve Adrian Mzhika, 20 vjeç, lindur në Mat dhe banues në Kodër Kamëz dhe Edvin Brahimaj, 21 vjeç, lindur në Mallakastër dhe banues në Kodër-Kamëz Tiranë. 

Burime nga policia e Tiranës bënë të ditur se ndalimi i këtyre shtetasve u bë në momentin kur ata po konfliktoheshin ashpër me 3 vëllezërit Leti, përkatësisht Besim Leti, 21 vjeç; Andi Leti, 23 vjeç dhe Renato Leti, 24 vjeç, banues në Bulqizë.

Në momentin e ndalimit, shtetasit Adrian Mzhika iu sekuestrua edhe një armë zjarri e tipit pistoletë TT model 54, së bashku me një karikator me shtatë fishekë.

Ndërhyrja në kohë e Patrullave të Përgjithshme të Policisë bëri të mundur shmangien e një ngjarje të mundshme kriminale, si pasojë e një konflikti të nisur para rreth një muaji në rrethin e Matit midis shtetasve Renato Leti dhe Armando Hidri.

Ndaj shtetasit Adrian Mzhika u mor masa e arrestit në flagrancë për veprën penale të mbajtjes së armëve të zjarrit pa leje.