Titanik-Albania para betejes me Ishujt e Akullt

Nga Reporter
Shkruar ne 27 Apr 2011 ora 9:22pm

Titanik “Albania” është emri i vaporrit shqiptar, që në Pranëverë pritet të marrë kursin drejt Oqeanit Atlantik. Misioni i saj: Hakmarrja për Legjendën e Ujrave, Vaporrin Titanik.

Kjo është idea e një spektakli që Qeveria Shqiptare ka zgjedhë për të shënuar fillimin e kremtimeve të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Vendit. Ideatori i saj? Kush tjetër pos Kryeministrit Shqiptar, Sali Berisha.

Kishte kohë që kryeministri ynë po mendonte për skenarin e kësaj ceremonie. Kërkonte një ide krejt të veçantë, diçka që nuk ishte parë dhe dëgjuar ndonjëherë më parë. Kërçikun s‘e kemi, tha, po përshtypjen duhet ta lëmë. Njëqind vjet shtet, nuk janë pak, tha. Duhet!

Mbasi vetë natyra e festës e nënkuptonte, ai në qendër të idesë festive kishte vendosë vlera të trashëgimisë sonë zokanore si: hakmarrjen, urrejtjen, trimërinë, kotësinë, solidaritetin, ndjenjen miqësore ndaj të huajve, shfrenimin, e shume të tjera si këto.

Në kërkim ishte vetëm forma e kësaj ideje. Forma, tha, duhet të jetë e jashtme, në mënyrë që t‘i japim kuptim idesë së bashkëjetesës në mes të kombeve.

Nga sa dinte vetë, sa mësoi nga miqtë, apo edhe nga librat e historisë, mundi të sendertonte ato rrethana tepër të zymta në te cilat ishte lindë shteti shqiptar. Ftohtësia dhe skepticizmi me të cilen ishte pritë atëherë i porsalinduri, në një farë mase i dukeshin sikur kishin vazhduar deri në ditët e sotme. Po bëhen 100 vjet, tha, dhe ende disa vende nuk na duan të mirën. Këtu, tha, duhet fokusuar. Duhet gjetë një ide, pikërisht për të goditë këte të keqe që vazhdon të rrijë mbi kokën tonë mu si Shpata e Demokleut. Duhet të jetë një ide kolosale, por edhe në formë sa më të thjeshtë. Mundësisht edhe me sa më shumë zhurmë, se festa ashtu e ka.

Nësa ishte në kërkim të idesë dhe po lexonte në librin e historisë mbi një ngjarje tragjike të ndodhur mu aty në prag të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, u ndal i bindur se ishte pikërisht ajo që po kërkonte.

– Një vaporr, siç po e quejtkën, Legjenda e Ujrave, me mbi 1400 udhëtarë të mbytur në oqean nga Ishujt e Akullët; e bota që atëherë nuk ndëmori asgjë kundër këtyre banditëve – kjo është e patolerushme, tha me vete.

Pa humbë kohë, vendosi të studjonte mundësinë e një ndërhyrjeje kundër tyre. Tash që kemi edhe përvojën e duhur dhe detyrimin ndërkombëtar e njerëzor për rujtjen e paqës në botë, ideja do të ishte shumë e qëlluar. I shkon shumë edhe rastit festiv: Miqtë tanë do t‘ na lavdrojnë për këtë kontribut, pa çka se mund të jetë edhe pak provokativ për disa nga armiqtë tanë, ose edhe për ndonjë vend të madh, si Kina, bie fjala.

Si njeri praktik që është, por edhe i veprave të mëdhaja, sapo ishte bindë në idenë e fiksuar, kishte urëdhëruar ndërtimin e një vapori të përmasave gjigande. E donte shumë të madh, të kishte vend hiç më pak se për gjysmën e kombit. Se, kur bëri porosinë, kishte pasë thënë: gjithçka që bëra në këte jetë, e bëra me popullin. Prandaj ate dua ta kem edhe kësaj radhe me vete. Më do dhe e dua!

Mandej vaporrin kishte kërkuar t`ia bënin sa më të fortë. Nuk dua, tha , edhe një herë të bëhem gazi i botës, ose edhe më keq , të bëhemi mish për peshk, se nuk janë Ishuj Leshi ata që na do të godasim.

Vapori tash për tash është në fazë përfundimtare të përgaditjeve.

Udhëtimi drejt Veriut do të fillojë në kohën e caktuar, mbasi arrijtja në vendin fatal, ku 99 vjet më parë Vapori Titanik me 1400 udhëtarë humbën jetën, është e programuar të ndodhë me 15.04. 2011.

Pikërisht në këte natë, në mënyrë ceremoniale, përmes një goditjeje të një Ishulli të Akullt, pritet të bëhet hapja e fushatës luftarake, e cila do të zgjas plot një vite, saktësisht deri me 15. 04. 2012 . Atë natë , në të njëjten mënyrë, pritet edhe mbyllja e fushatës. Ky moment do të shënojë edhe çlirimin e plotë të rruzullit nga Ishujt e Akullt (përkatësisht, të Polit të Veriut dhe Polit të Jugut, se atje zënë prita ata banditë oqeanesh). Mbas kësaj, vaporri ynë, plot krenari, kuptohet, nëse do të ketë mundur t‘i bëjë ballë sfidës akullnore, do të marrë kursin e kthimit për në Atdhe. Ky moment do të shënojë fillimin e kremtimeve të mëdha të 28 Nëntorit 2012.

Sado që ishte përpjekur ta mbante të fshehtë idenë dhe fazën përgaditore, shoqërimi me Fazlliçin, mund t‘i ketë kushtuar me rrjedhje të informacioneve pranë disa shërbimeve të huaja.

Qeveritë e vendeve Euro-Atlantike, sapo qenë njoftuar për planet e Qeverisë Shqipetare, kane lëshuar alarmin. Sektori diplomatike thuhet të ketë qenë i pari qe ka reaguar për të bindur palën shqiptare për të hequr dorë nga një ndërmarrje aq e rrezikshme. Por, siç bëhet e dijtur, përpjekjet e tyre ranë në vesh të shurdhër. Qeveria Shqiptare këmënguli në të drejtën e saj të ligjshme për të festuar në mënyrën që ajo dëshiron, mbasi vullneti buron nga e drejta e saj sovrane.

Të ndeshur me kundërshtimin e prerë të palës Shqiptare, qeverive të vendeve përendimore, nuk u mbeti tjetër pos se të urdhëronin flotat e tyre detare të viheshin në gjendje të plotë gadishmërie për të vëzhguar veprimet e Vaporrit Shqipar, në mënyrë që të mund të ofronin gjithë ndihmën e nevojshme në rast katastrofe të mundëshme, mbasi ndër ta mbreteron bindja që teknologjia shqiptare ende nuk ka arrijtë standarde të atij niveli, që të mund të garantojë siguri dhe sukses përballë sfidash të tilla epokale. Përbetimet dhe garancitë e kryministrit Shqiptar i kanë çmuar si jo më shumë se një eufori festive.

Flota e venë në vëzhgim të udhëtimit historik të Vaporrit Shqipetar është udhëzuar të qëndrojë në distancë nga Gjigandi i Adriatikut, në mënyrë që të shmanget çfardo fërkimi i mundëshëm, sepse, pavarvsisht këmbënguljes së palës shqiptare, kjo asesi nuk duhet të na çojë në acarim në mes palëve, që të mos preken marëdhënjet e shkelqyera që mbretrojnë tash 20 vjt.

Në këtë udhëzim është parashikuar edhe mundesia e veprimit të faktorëve të jashtëm, siç është mungesa e përvojës në detarinë Shqiptare, veprimi i faktorit detar (zënja nga deti), sidhe rreziku i shfaqjes së ndonjë epidemie.

Aleatët tanë, mbasi kanë studjuar mirë projekt-idenë madhështore, kanë arrijtë në përfundimin se në një ndërmarrje të tillë mund të ketë deri edhe çrregullime të natyrës psiqike. Shfaqje e tyre tek pala Shqitare, për flotiljen shoqëruese do të mund të sillte pasoja të natyrës së Ferrit, mbasi Titanik Albania ka në bord një potencial të mjaftueshëm për ta shkaterruar edhe Artikun.

Ka spekullime se në krye të këtij misioni do të jetë vetë Kryeministri Sali Berisha. Madje, thuhet, sa ka preferuar kryerjen e kësaj detyre nga pozita ushtarake e Admiralit.

Për të hequr mundësinë e çdo spekullim, javën e ardhëshme do mbajmë një intervistë me Kryeministrin tonë, z. Sali Berisha.

Kaq deri më atëherë.

Nga: Clirim Uça