Topalli kopjon faqen e Obamës për President

Nga Dinejda
Shkruar ne 16 Maj 2012 ora 11:30am

TIRANE-Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nis fushatën për postin e Presidentit të Republikës. Përgatitjet e zonjës Topalli për kreun e shtetit duket se kanë nisur me kurimin e imazhit dhe përcjelljes së informacionit online.

Topalli ka zgjedhur si shembull për të ndjekur dhe modelin e fushatës së Presidentit amerikan, Barak Obama. Së fundmi, faqja e internetit e kryetares së Kuvendit ka marrë imazhin e një prej uebeve më të rëndësishëm dhe më të klikuara në botë, asaj të Shtëpisë së Bardhe dhe Presidentit Barak Obama.

Jo rastësisht ndryshimi i faqes ka ndodhur prej disa javësh dhe që përkon me nisje të fushatës dhe daljes në arenën politike të emrave dhe pretendentëve për karrigen e kreut të shtetit. 

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli është një prej emrave më të lakuar dhe e propozuar në shumë raste nga deputetët e maxhorancës, si kandidate për postin e Presidentit. Vetë kryeparlamentarja në intervistat e saj i ka shmangur pyetjet e gazetarëve për një ambicie presidenciale.

Në foto krahasuese të dy portaleve online, mund të thuhet se i vetmi ndryshim që mund të gjendet është gjuha, pasi ndërtuesit e faqes janë treguar të kujdesshëm që të bëjnë përshtatjen e modelit amerikan me atë shqiptar. Për të arritur në faqen e kryetares së Kuvendit, është shumë e thjeshtë, mjafton të klikosh një nga lajmet apo aktivitetet e saj në faqen “Parlament.al” dhe, menjëherë pas klikimit, lajmi hapet për përdoruesit online në një tjetër domain, që është “kryetari.parlament.al”.

Është pikërisht kjo faqe e dytë që është imituar nga faqja e Presidentit Barak Obama. Karakteristikë e të dyja faqeve ueb është fakti se sfondi i tyre është ngjyrë e bardhe dhe me blu të theksuar. Gjithashtu ngjashmëria kryesore është dhe në vendosjen e logos së Parlamentit dhe të selisë së Shtëpisë së Bardhë, që është në qendër të faqes. Ndërkaq, edhe shkrimi i përdorur në të dyja faqet përbëhet nga i njëjti shkrim dhe ngjyrë gri. Mirëmbajtja e faqeve online të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, angazhon çdo ditë një staf prej jo më pak se katër punonjësish të zyrës së shtypit pranë Parlamentit.

Komunikimi
Komunikimi online i kryeparlamentares Jozefina Topalli i qëndron “besnik” rrjetit social “Facebook”. Faqja online e kryetares së Kuvendit pasqyron çdo ditë në internet çdo aktivitet dhe fotot përkatëse, të cilat në të shumtën e rasteve komentohen nga simpatizantët. Në shërbimet e faqes online, zonja Topalli ka preferuar që aktivitetet e saj t’i përçojë vetëm në “Facebook” dhe jo në “Twitter”, siç bën çdo ditë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Faqja zyrtare e Kryetares së Kuvendit dhe, njëherësh nënkryetare e Partisë Demokratike, ndiqet çdo ditë nga 3727 përdorues të internetit dhe rrjetit social “Facebook”.

Qëllimi
Kryetarja e Kuvendit në faqen e saj të uebit fton të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë teknologjitë e komunikimit për të qëndruar në kontakt dhe për të shprehur të gjitha mendimet apo problematikat e tyre. Në faqen ueb “jozefinatopalli.al” thuhet se: “Nga përvoja ime politike kam kuptuar se misioni i një politikani apo politikaneje bëhet gati i pamundur në momentin kur fillon izolimi i tij nga zgjedhësit dhe qytetarët e tij. Fatmirësisht interneti dhe teknologjitë e reja të komunikimit na ofrojnë një mundësi më shumë për ta thelluar bashkëbisedimin tonë. Le ta shfrytëzojmë këtë mundësi nëpërmjet kësaj faqeje të re”.