Topi pret Ambasadorin e ri të Kosovës: Rruga juaj kalon nga BE

Nga Dorjan
Shkruar ne 20 Mar 2012 ora 4:18pm

TIRANË- Presidenti i Republikës Bamir Topi zhvilloi sot një takim me Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi, i cili paraqiti Letrat-Kredenciale.

Kryetari i Shtetit shqiptar, pasi i uroi mirëseardhjen Ambasadorit të ri të Kosovës Selimi, vuri në dukje se: “Marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve tanë janë vëllazërore. Ne gëzohemi dhe jemi krenarë për faktin që çdo ditë e më shumë institucionet e Kosovës shënojnë përparime. Këto pikëpamje dhe ndjenja i ndaj edhe me të gjithë bashkëbiseduesit dhe partnerët e huaj me të cilët takohem.”
Presidenti Topi tha më tej se uron që Kosova t’i japë fund statusit të pavarësisë së mbikëqyrur e të integrohet në BE.
“Uroj që Kosova t’i japë fund statusit të pavarësisë së mbikëqyrur dhe të plotësojë të gjitha standardet për një integrim të plotë të të gjitha vendeve të rajonit tonë në gjirin e Bashkimit Evropian.”
Nga ana e tij, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi, vuri në dukje se: “Përveç Brukselit dhe Uashingtonit, Tirana është mbështetja tjetër për Kosovën.
“Synimi ynë është që të konsolidojmë marrëdhëniet në të gjitha fushat dhe që Kosova të bëhet pjesë e takimeve dhe nismave rajonale. Objektivi parësor i politikës së jashtme të Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO-ja dhe për këtë vlerësojmë mbështetjen dhe përvojën e vlefshme që na ofron Shqipëria.