Trajtimi i sindromës WRS me transplantim organesh

Nga Dorjan
Shkruar ne 15 Mar 2012 ora 7:08pm

Mjekët në spitalin e universitetit të Miamit në Florida kryen për herë të parë nje tranplantim të shumëfishtë per të trajtuar Sindromën Wolcott-Rallison. Pacientja është Anxhela Bushi, 6 vjeçare e lindur nga prindër shqiptarë në Shtetet e Bashkuara. Por cila është prognoza e saj. Po mjekët dhe prindërit ç’thonë? Kolegu Astrit Lulushi ishte në Miami ku u njoh nga afër me gjendjen e Anxhelës.

Angela, 6 vjeç, vuan nga sindroma Wolcott-Rallison,  sëmundje e rrallë por vdekjeprurëse. Shumë lehtë, ajo mund të mos ishte. Por sot Anxhela duket e qeshur, e shkathët e me teka, si çdo fëmijë normal. Pamja e jashtme nuk tregon aspak se mjeket kanë kryer ristrukturim të plote të barkut, i cili brenda përmban 4 organe të reja transplantuara – pankreas, mëlçi dhe 2 veshkat.

Eshtë hera e parë në historinë e mjekësisë që ky lloj transplanti i katërfishtë përdoret për trajtimin e sindromës Wolcott-Rallison.  Vetëm para tri javësh Angela iu nënshtrua këtij operacioni të vështirë që zgjati 14 orë, dhe sa më shumë kohë kalon, aq më të sigurt ndjehen mjekët për suksesin e operimit.

Doktor Andreas Zakis, shef i departamentit të transplantimeve në Universitetin e Miamit, thotë se kirurgu ndjen gëzim jo vetëm pas një operimi të suksesshëm, por edhe kur pacienti vazhdon të jetojë si në rastin e Anxhelas.

Sindromi Wolcott-Rallison është sëmundje gjenetike e dokumentuar në vetëm 60 raste në mbarë botën. Sëmundja, e zbuluar në vitet 1960 nga doktor Marvin Rallison i universitetit te shtetit Utah, shfaqet me simptoma si të gripit, pastaj diabet dhe vonesa të rritjes e probleme në kocka dhe intelekt.  Shumica e pacientvëve me këtë sindromë vdesin pa kaluar moshën e fëmijërisë, dhe njihet vetëm një rast kur pacienti ka jetuar deri në moshën 30 vjeç. Një prej veçorisë së kësaj sindrome është dëmtimi a shkatërrimi i organeve.

Para  Anxhelës, trajtimi i kësaj sëmundjeje me shumë transplantime njëherësh nuk ishte provuar. Kjo e shtyu Dr. Zakis të besojë se Anxhela ka shanse të mira për të jetuar dhe se kjo metodë në të ardhmen do të përdoret edhe për pacientë të tjerë me sindromën Wolcott -Rollison.

“Së pari Anxhela nuk ka nevojë për insulinë. Diabeti është eleminuar. Sepse diabeti në moshën e saj është vërtetë sfidë e madhe. Tani ajo ka pankreas, mëlçi dhe veshka të reja, dhe shresojmë se problemet me këto organe janë zhdukur. Gjithashtu besojmë se nëpërmjet transplantimit të katërfishtë, ne kemi zhdukur nga Anxhela edhe problemin gjenetik. Pra kur ajo të rritet, fëmijët e saj nuk do të lindin me të njëtin problem. E rëndësishme gjithashtu është se me këtë mënyrë tani mund të trajtohen edhe pacientë të tjerë që vuajnë nga sindorma Wolcott-Rallison “, thotë Dr. Andreas Tzakis i universitetit të Miamit.

Dokjtor Akin Takin, profesor i asociuar i kirurgjisë klinike ne universitetin e Miamit, mori pjesë në këtë operim dhe tani kujdeset për Anxhelën pas operimit.

Ai thotë se shëndetin afatgjatë i njeriut askush nuk mund t’a përcaktojë, por përsa i përket Anxhelës, shpreson se falë këtij operimi, kjo vajzë do të vazhdojë të rritet e shëndetëshme.

Nga dita e operacionit kanë kaluar rreth 3 muaj, dhe sa më shumë kohë kalon, aq më të sigurtë ndjehen mjekët për suksesin e kësaj ndërhyrjeje. Pas një operimi, të grënit është shqetësim kryesor, thotë doktoresha Jennifer Garcia, e cila kujdeset për Anxhelën.

“Në këtë drejtim unë jam shumë e kënaqur. Pesha trupore e Anxhelës ka arritur shifrat normale.”

Në vitin 2005, Petrit e Valbona Bushi, atëherë të sapo martuar,  u vendosën nga Shqipëria në Jacksonville të Floridës. pasi kishte fituar një llotari të vizave. Valbona Bushi ishte shtatzënë me Anxhelën. Lindja ishte e mirë, dhe vitin e parë foshnja dukej e shëndetshme. Pastaj filluan shqetësimet. Prindërit e Anxhelës, edhe sot emocionohen kur  tregojnë se me të njëjtat simptoma, vitin e kaluar atyre u vdiq Alicia, vajza e tyre 18 muajshe, të cilës mjekët nuk arritën t’ia përcaktonin diagnozën.

Tashmë Anxhela ka dalë nga spitali dhe banon në një apartament pranë me shpenzimet e spitalit. Mjekët, të cilët i shpëtuan jetën, thonë se tani për tani, Anxhela ka nevojë për mbikqyrjen e tyre dhe e vizitojnë atë çdo javë. Ndërsa prindërit e Anxhelës,thonë: “Çfarë bënë këta është mrekulli!”