Tre mijë euro për një emërim fals në Arsim, kapet 56-vjeçari

Nga Dorjan
Shkruar ne 18 Pri 2012 ora 3:43pm

ELBASAN – Falsifikonte dokumente për të futur punonjës në arsim, arrestohet 56-vjeçari. Sektori Kundër Krimit Ekonomik ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Arsimtari”, duke bërë të mundur arrestimin e shtetasit Haxhi Xibraku, 56 vjeç, pasi akuzohet për veprën penale “falsifikim dokumentesh”. Burime të Policisë bëjnë të ditur se ky shtetas, si dhe dy të tjerë, të cilët janë identifikuar nga policia, por që për arsye hetimi nuk bëhen të ditur emrat, prej disa muajsh, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, falsifikonin dokumente zyrtare, kryesisht vendime për emërim të përkohshëm në profesionin e mësuesit, kundrejt një vlere prej 3 mijë eurosh. Denoncimi për këta shtetas ka mbërritur vetëm një ditë më parë në Polici nga tre shtetas, të cilët kishin paguar shumën prej 3 mijë eurosh e më pas kishin zbuluar se dokumentet që ata dispononin ishin false. Tre shtetasit me iniciale E. Sh., 35 vjeç, L. M., 38 vjeç dhe A. K., 25 vjeç, të tre me banim në Elbasan, pasi kanë verifikuar se dokumentet që ata dispononin ishin të falsifikuara, kanë denoncuar në Polici dhe kanë deklaruar se ato i kishin siguruar nga 56-vjeçari Haxhi Xibraku dhe nga dy bashkëpunëtorët e tjerë. Ata u kishin premtuar për vende pune në arsim dhe të sigurt për vërtetimin e marrë në Drejtorinë Arsimore, të interesuarit janë paraqitur në shkollat përkatëse. Por aty kanë marrë përgjigjen se dokumentet e tyre ishin false. Policia tashmë i ka kaluar materialet në Prokurori dhe pritet që ndaj tre shtetasve të nisë hetimi për veprën penale “falsifikim dokumentesh”.