TUMORET SI EPIDEMI, 6000 RASTE TË REJA NË VIT

Nga Dorjan
Shkruar ne 10 Pri 2012 ora 3:15pm

Raporti në Komision. Shefi i onkologjikut: Duhet më shumë vëmendje.

Zv. ministri Spahia: Nga 2005 kemi 5-fishuar investimet.

Shtohen të sëmurët me kancer në vend. Shifrat nga shërbimi i onkologjisë flasin për 6000 raste të reja në vit. Ato u bënë publike dje, në një seancë dëgjimore në Komisionin Kuvendor të Shëndetësisë. Shefi i shërbimit të onkologjisë, Agim Sollaku, kërkoi vëmendjen e deputetëve për trajtimin e të sëmurëve. Zv.ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, njëkohësisht dhe kryetar i Komitetit të Kancerit, raportoi në lidhje me strategjinë kombëtare të kontrollit të kancerit. Ai bëri një panoramë të situatës aktuale dhe njëkohësisht parashtroi objektivat për të ulur incidencën e sëmundjes. “Nga viti 2005 e deri më sot është 5-fishuar buxheti për citostatikët, medikamentet bazë të trajtimit të pacientëve me tumor. Në vitin 2003, fondi për këto barna ishte 850 mijë euro. Sot për to nga buxheti parashikohen 5 milionë euro. Investimet kanë qenë kolosale në skanera e në mamografi diagnostikimi. Mund të themi që për pajisjen me këto lloj aparaturash Shqipëria është në të njëjtat raporte si vendet e BE. Kemi 1 mamografi për 100.000 banorë”, tha Spahia. Ai shtoi se strategjia kombëtare e kontrollit të kancerit ka vënë në zbatim objektivat afatshkurtër.  “Mbetet prioritet fuqizimi i spitaleve rajonale me aparatura diagnostikuese bashkëkohore si mamografitë, skaneri dhe rezonanca. Një pjesë e tyre janë pajisur tashmë dhe procesi është drejt përfundimit”, tha Spahia. Kanceri është sot shkaku i dytë madhor i vdekjeve në Shqipëri dhe pjesa më e madhe e pacientëve zbulohen në stad të avancuar. Nga sa raportoi në Komision zv.ministri, Ministria e Shëndetësisë ka pasur mbështetje maksimale nga qeveria për të mundësuar vënien në zbatim të strategjisë parandaluese. “Rritja e numrit të të sëmurëve me tumore në vendin tonë lidhet me rritjen e jetëgjatësisë së popullatës, e cila shton incidencën. Sa i përket numrit të rasteve, jemi në të njëjtat shifra si vendet e rajonit”, tha Spahia. Deputetët e opozitës kërkuan shpjegime për mënyrën si prokurohen barnat. Drejtori ekonomik në Ministrinë e Shëndetësisë, Sajmir Kadiu, deklaroi se i është propozuar qeverisë të ndryshojë ligjin e prokurimeve, për të lehtësuar procedurat e blerjes se barnave nga ana e spitaleve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, rritja e shpejtë e tumoreve në Shqipëri erdhi pas viteve ’90, kur ndryshoi edhe mënyra e jetesës së shqiptarëve. Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se një hap për parandalimin e tumoreve është futja në kalendarin e vaksinimit të vaksinës kundër Hepatitit B, vaksinë e cila parandalon kancerin e mëlçisë. Ndërkohë po punohet për futjen në kalendar dhe të vaksinës kundër kancerit të qafës së mitrës në moshat 13 vjeç.

Aparaturat
Në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, në shërbimin onkologjik, pritet dhe instalimi i dy aparaturave të teknologjisë së lartë, siç janë akserelatorët linearë për trajtimin me rreze të tumoreve, duke goditur vetëm qelizat e sëmura të trupit. Pak kohë më parë, në këtë shërbim u vendos dhe aparatura e specializuar e mamografisë për ekzaminimin e kancerit të gjirit. Ndërsa problem mbetet kanceri i qafës së mitrës, për të cilin MSH synon dhe futjen së shpejti të vaksinës në kalendarin e imunizimit.