Turistët dhe emigrantët: Në restorante të servirin troftën për koran

Nga Dorjan
Shkruar ne 22 Mar 2012 ora 3:53pm

POGRADEC – Qyteti i Pogradecit tashmë ka krijuar një traditë dhe vizitohet nga të huaj dhe nga vendas jo vetëm në verë, por në të gjitha stinët e vitit. Shumëkush që shkon në Pogradec ka dëshirë të shijojë tavën e koranit, peshkut të rrallë që njihet si mbret i peshkut. Por, kohët e fundit shumë restorante, madje dhe luksoze, po abuzojnë me këtë specie tepër të shijshme, duke gatuar në vend të koranit, troftën. Turistë si dhe emigrantë shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të Europës pohojnë se në disa restorante abuzohet, pasi u servirin troftën si koran. Njëri prej tyre, që jeton prej kohësh në Zvicër, Bashkim Muzina tregon në një intervistë zhgënjimin nga ky fakt jo vetëm nga tregtarët ambulantë, por dhe nga pronarë restorantesh.
Z Bashkim, ju keni ardhur me pushime në Pogradec, si kaluat?
Mrekullisht. Pogradeci është një qytet që ka një magji të veçantë dhe unë erdha me familjen, me dashuri për Pogradecin, për të pushuar tre ditë.
Ndonjë diçka të veçantë për këtë qytet?
Pogradeci ka ndryshuar shumë, sigurisht për mirë. Ka siguruar ujin e pijshëm 24 orë, dritat gjithashtu, ka pastruar liqenin me kolektorin, por më ka zhgënjyer me një fakt.
Me cilin fakt?
Po ja, unë porosita një tavë korani në një lokal luksoz dhe hëngrëm troftë në vend të koranit.
Si ka mundësi?
Po unë e njoh troftën dhe njëkohësisht edhe koranin dhe neve në tavë na u servir troftë. Unë troftën e njoh mirë sepse në Zyrih pranë shtëpisë është një rezervat trofte dhe unë marr gjithmonë atje.
Bëhet fjalë për abuzimin me çmimin?
Sigurisht edhe me çmimin, pasi një kg koran kushton 15 mijë lekë të vjetra, ndërsa një kg troftë, 5000 lekë, pra tre më një.
Gjithashtu dhe shija është një zhgënjim më vete. Si thotë populli ynë një shprehje, kësaj i thonë “ta hash djathin për sapun”. Por telekomedia vazhdon gjatë rrugës nacionale, kur edhe shitësit ambulantë të shesin troftën për koran. Ata e mbajnë troftën në disa depozita me ujë, gjoja tregtojnë koran të freskët. Vetëm këtu tek ne në Shqipëri ndodh kjo. Të bësh një gjë të tillë, në një shtet tjetër të mbyllet restoranti dhe paguan një gjobë që nuk e ngre kokën kurrë. Shteti duhet të ndëshkojë me gjobë matrapazë të tillë.