U SHISNIN PASAPORTA BIOMETRIKE KOSOVARËVE PËR 2 MIJË EURO, KATËR NË PRANGA

Nga Dorjan
Shkruar ne 24 Mar 2012 ora 3:10pm

Policia e Tiranës ka mundur që të vërë në pranga katër persona, të cilët akuzohen për falsifikim të pasaportave biometrike. Të arrestuarit janë Luan Tetaj, 40 vjeç,

Qëndrim Beqaj, 22 vjeç, Fatlinda Tetaj, 18 vjeç dhe Pranvera Lika ,62 vjeç.

Sipas zëdhënëses së policisë, këta të fundit falsifikonin pasaporta dhe ua shisnin kryesisht shtetasve kosovarë për 2 mijë euro. Me këto pasaporta pastaj, ata do të kishin mundësi që të udhëtonin pa pengesa në vendet e Bashkimit Europian.

“Këta shtetas në bashkëpunim me njëri – tjetrin kanë bërë të mundur prodhimin e pasaportës biometrike të Fatlinda Tetës, duke përdorur identitetin e shtetases Tatjana Matraku, banuese në Tiranë.

Pokështu, po të njëjtët shtetas po përgatisnin prodhimin e një pasaporte biometrike me gjeneralitetet e një banoreje të Tiranës, të cilët kundrejt vlerës prej 2 mijë eurosh do t`ia shisnin disa kosovarëve”, thuhet në një njoftim të policisë.