Uithers: Berisha do vetëm të ruajë pushtetin

Nga Dorjan
Shkruar ne 17 Mar 2012 ora 3:36pm

Uashington-Xhon Uithers, ish-ambasadori i SHBA-së në Tiranë flet pa dorezat e diplomatit për qeverinë shqiptare. Ambasadori i fundit amerikan i larguar nga Shqipëria, thekson se qeveria aktuale e drejtuar nga Berisha nuk udhëhiqet nga koncepti i demokracisë por nga synimi i vetëm për të ruajtur pushtetin.

“Vepra që ka lënë pas, qeveria aktuale, shkojnë tërësisht kundër konceptit të ndërtimit të demokracisë. Ajo ka kanosur gjykatat në mënyrë rutinë, madje edhe nën fasadën e një ligji antikushtetues lustracioni. Ka sulmuar në mënyrë poshtëruese zyrën e Prokurores së Përgjithshëm, teksa ajo përpiqej të gjente përgjigje për tragjeditë që ndodhën në Gërdec dhe në 21 Janar 2011. Është përpjekur të kufizojë liritë e medias, përmes ligjeve shtrënguese dhe jodemokratike dhe përmes presionit ndaj ambienteve në të cilat funksionon media. Dhe rast pas rasti, ajo ka manipuluar dhe të drejtën demokratike më themelore, procesin elektoral. Është e trishtueshme, që përkundrejt gjithë punëve të mira që mund të kishte bërë një qeveri largpamëse, reformiste dhe pro demokracisë, kjo qeveri ka treguar një interes aktiv, e madje obsesiv, vetëm për një objektiv: pushtetin, me çdo mënyrë që ka në dorë”, është shprehur Uithers në një intervistë për revistën “JAVA”.

Ai merr si shembullin konkret më klasik tragjedinë e “Gërdecit”, daljen në shesh të së vërtetës ka qenë qeveria që e ka penguar në një kohë që detyrimi i saj është gjetjen e përgjegjësve. “Reagimi i qeverisë ndaj tragjedisë së Gërdecit mbetet një prej dështimeve të saj më të mëdha. Nuk duhet harruar kurrë se në radhë të parë Gërdeci është një tragjedi njerëzore. Është përgjegjësi themelore e qeverisë që të garantojë që drejtësia të vihet ne vend dhe që viktimat e kësaj bëme të tmerrshme të shohin, që ata që mbajnë përgjegjësinë ligjore e morale për këtë krim, të japin llogari për veprimet e tyre. Por, qeveria shqiptare jo vetëm që ka neglizhuar zbardhjen e të vërtetës së Gërdecit, por në fakt, ka ushtruar në maksimum pushtetin e saj, për të mos lejuar që e vërteta të dalë në shesh”, shprehet Uithers.

Ish-ambasadori amerikan duke u shprehur se Shqipëria ka nevojë për ndryshim të mënyrës së qeverisjes së saj, jep mendimin se për këtë nevojitet ndryshimi i mentalitetit. “Ajo që duhet të ndryshojë më shumë se çdo gjë tek elita politike shqiptare është mentaliteti. Sot, klasa qeverisëse shqiptare i përmbahet një koncepti të vjetër, e madje regresiv, se gëzon privilegje në raport me njerëzit e zakonshëm, se ka imunitet nga sundimi i ligjit, se nuk i nënshtrohet vullnetit të popullit. Asgjë nuk ka influencuar për të minuar progresin drejt demokracisë që i duhet vendit, më shumë sesa këto qëndrime arkaike të njerëzve me pushtet”, thotë ai. Në këtë kuadër Uithers shton se “ajo që i nevojitet Shqipërisë nuk janë thjesht politikanë më rinorë, por një mentalitet i ri”.