UNESCO: Berati në projektin europian të trashëgimisë

Nga Dorjan
Shkruar ne 08 Maj 2012 ora 2:18pm

BERAT - Berati është përfshirë në një projekt tejet interesant të UNESCO-s, i cili synon të krijojë një menaxhim më të mirë të Qendrave Historike të 7 sajteve duke i bërë pjesë të një rrjeti ndërkombëtar në fushën e kulturës dhe trashëgimisë. 

Si rezultat i këtij projekti, atraksionet e kulturës dhe historisë së këtyre 7 sajteve turistike do të hidhen në internet në sistemin GIS, ku secili do të ketë të ashtuquajturën “pasaportë” të tij me informacion të bollshëm e profesional për çdo vizitor apo të interesuar pas kulturës, artit dhe historisë. Katia Basili, arkitekte në bashkinë e Venecias, e përzgjedhur për të drejtuar këtë projekt ka thënë për “Gazeta Shqiptare” se Venecia është pjesë e UNESCO-s, që nga viti 1987, por pak kohë më parë i’u kërkua, krijimi i një plan-menaxhimi për të ruajtur vlerat e për të qëndruar ende në këtë listë.

“Ky projekt është një aktivitet mjaft kompleks që kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe enteve përgjegjëse dhe kjo ka qenë arsyeja pse po implementohet ky projekt europian. Ne do të ndajmë eksperiencën tonë me sajte të tjera që kanë të njëjtat vështirësi dhe të njëjtat resurse” – është shprehur Basili. 7 sajtet e përfshira në Projektin Europian për trashëgiminë kulturore janë: Venecia, Korfuzi, Ohri, Nova Goricia, Bakau, Hurezi dhe Berati.