Universiteti Bujqësor i Tiranës. Fakulteti ekonomik, çmim të parë në konferencën studentore të organizuar në Kroaci

Nga Dorjan
Shkruar ne 04 Maj 2012 ora 3:53pm

Në Konferencën e 10-të Kombëtare Studentore të organizuar nga Fakulteti i Ekonomisë Universiteti i Tiranës, mori pjesë një grup studentësh (4 studentë) nga Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Universiteti Bujqësor i Tiranës. Konferenca u mbajt në Dubrovnik të Kroacisë më 5-8 prill 2012 dhe u prezantuan 19 punime nga ana e 90 studentëve, jo vetëm nga Tirana, por dhe nga Universitetete rajonalë.

Qëllimi i këtyre konferencave është që të sjellë përpjekjet serioze për të përcaktuar kontributin e studentëve në punën akademike kërkimore.

Çdo kërkim shkencor, i cili sjell një shpjegim, qoftë edhe të pjesshëm, të një dukurie apo fenomeni shton setin e njohjes ose botëkuptimin e asaj që na rrethon dhe jetojmë.

Konferenca Kombëtare Studentore e këtij viti ishte vazhdimi i traditës së përvitshme të studentëve të financës, studentëve elitë të Fakultetit Ekonomik, Universiteti i Tiranës dhe të Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Universiteti Bujqësor i Tiranës. Këta studentë, nën drejtimin e pedagogeve për të dhjetin vit rresht, sollën punimet e tyre. Këto punime konsiderohen si përpjekje serioze, duke u shoqëruar me një rritje cilësore nga viti në vit dhe me vlerë të veçantë nga studentët, për të dhënë një shpjegim inteligjent të aspekteve të ndryshme të ekonomisë së vendit tonë.

Vlera e këtyre temave nuk qëndron vetëm në planin shkencor, por edhe atë metodik të kërkimit. Fokusi i këtij viti ishte:

“Ekonomia shqiptare në sfondin rajonal dhe evropian”.

 

Struktura e këtij libri, kompozuar mbi bazën e temave si:

1. Ndikimi i krizës financiare në faktorët e rritjes ekonomike

2. Strategjitë e zhvillimit të turizmit në Shqipëri, sfidat dhe mundësitë për

përmirësim

3. Sistemi i taksave në Shqipëri. Tatimi i sheshtë: Integrimi Evropian

4. Ndikimi i krizës së borxheve në politikat e kredidhënies. Rasti i Shqipërisë

5. Deficitet buxhetore, kërcënim mbi ekonominë botërore dhe mjaft tema të tjera lidhur me objektin e konferencës, ishte ndërtuar në formë të njëtrajtshme. Kjo për t’i shtuar elementë të vlerësimit dhe të cilësisë së publikimit.

 

Pas prezantimit të të gjitha punimeve të kryera nga të gjithë përfaqësuesit e universiteteve u shpallën dhe fituesit ku vendi i parë për metodologjinë solide e të qartë dhe për testimin rigoroz shkencor të hipotezës iu dha grupit të studentëve që përfaqësonin Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Në një intervistë të marrë me përfaqësuesit e grupit të studentëve të këtij universiteti ata u shprehën:

 

“Ndihemi shumë të lumtur që ishim përfaqësues të universitetit tonë dhe aq më tepër kur vlerësohesh me çmimin e parë. Mund të themi që nuk ishte e rastit një çmim i tillë pasi universiteti ynë është paraqitur gjithmonë me punime serioze ku mund të përmendim ish-studentët Elona Muçi dhe Orion Xhorxhi, studentë që tani gëzojnë statusin e petagogut.

Ndihemi të privilegjuar që ishim në grupin studentor të organizimit të konferencës, duke na u dhënë mundësinë për të bashkëpunuar me studentët më të mirë të financës dhe njëkohësisht me pedagogët. Mendojmë se organizimi i kësaj konference si një traditë është faktor nxitës për studentët aktualë dhe të ardhshëm për të qenë të gatshëm, të japin kontributin e tyre në zgjidhjen e problemeve apo çështjeve të ndryshme të ekonomisë shqiptare.”

 

Gentjan Çera, njëri prej studentëve përfaqësues shton:

“Natyrisht që një punë e tillë nuk mund të realizohej pa mbështetjen e pakufishme të pedagogeve tanë. Ndaj i falënderojmë përzemërsisht dhe u jemi mirënjohës Prof. Dr. Sherif BUNDO dhe MSc. Gerdi LITO për mbështetjen dhe mundësinë që u krijojnë të gjithë studentëve. Falenderojmë për përkrahjen dhe disponueshmërinë, dekanin e Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Dr. Sulo HADËRI. E ndiejmë të denjë dhe të nevojshme për të falenderuar gjithashtu studentët pjesëmarrës për punimet e tyre dhe bashkëpunimin që kanë treguar gjatë organizimit të konferencës.”