Universiteti Luarasi, tryezë në ndihmë të studentëve

Nga Dorjan
Shkruar ne 30 Mar 2012 ora 6:13pm

TIRANË- Universiteti Luarasi ka mbledhur juristë, gjykatës dhe akademikë, në një tryezë me temë kryesore, “Përmirësimi i edukimit ligjor përmes shprehive praktike”. Rektori i universitetit Luarasi Kristaq Traja, tha se drejtuesit e gjykatave e prokurorisë, duhet të përçojnë në shkolla orientimin dhe mënyrat e punës, në mënyrë që studentët të mos e kenë të vështirë sapo dalin nga bankat.

Sipas tij duhet të ketë edhe një formë më efikase praktike, në mënyrë që studentët të mos e kenë të vështirë përshtatjen me tregun e punës, sapo dalin nga auditorët. 

“Operatorët e drejtësisë arrijnë të na japin neve si shkollë një linjë pak a shumë të përcaktuar ne mund të vetëpërcaktohemi më pas. Prandaj ana sporadike në njëfarë mënyrë duhet mënjanuar. Nuk besoj se do ndonjë teori të madhe, thjesht një vëmendje, sikur drejtuesit e gjykatave apo prokurorive të mund të përçojnë në shkolla qoftë edhe me biseda e takime se cfarë linje po ndiqet edhe në mënyrë kritike Të bëjmë të mundur që studentët tanë të mos jenë si ufo përballë realitetit”, tha Kristaq Traja, Rektor i Universitetit të Drejtësisë Luarasi.

Gjatë diskutimeve u vlerësua tryeza e organizuar nga drejtuesit e universitetit Luarasi, por u ngrit edhe shqetësimi për sistemin arsimor, ku për Juridikun më efikas do ishte një sistem 4 plus 1 dhe jo 3 plus 2.

Gjithashtu theksi u vu te cështja e praktikës, ku duhet një ndërthurje midis teorisë dhe praktikës. Në tryezë ishin të pranishëm edhe kryetari i gjykatës së Durrësit, Ervin Metalla, drejtoresha e shkollës së Magjistraturës Marjana Semini, apo kreu i dhomës kombëtare të avokatisë Maks Haxhia.