Vajza e argjendarit të vrarë letër Prokurorisë: Arrestimi i Gushit na lehtësoi.

Nga Dinejda
Shkruar ne 29 Pri 2012 ora 1:45pm

TIRANE - Një letër e ndjerë, e mbushur me plot dhimbje për humbjet e mëdha që ka pasur në jetë, mes njerëzisht të dashur por edhe mirënjohje, mbërriti një javë më parë në duart e prokurores Lindita Ziguri.

Rinelda Sinanaj, 22 vjeç, studente në Fakultetin Juridik, vajza e argjendarit Rrapo Sinanaj, që u ekzekutua me armë tetorin e 2011, nuk ka hezituar edhe pse mes shumë humbjesh të ulet dhe të shkruajë një letër që adresohej për organin e akuzës. 
“Shpreh mirënjohjen time të thellë që arritët të zbardhnit vrasjen e babait tim dhe të dërgonit në pranga vrasësin. Kjo na ka lehtësuar shumë plagët e thella”, – shkruan ndër të tjera, vajza e re. Burime për “GSH” thanë se, përmes letrës shpreh mirënjohjen e saj për punën e prokurorisë që dërgoi prapa hekurave Viktor Gushin, serial-killerin që në tentativat e tij për të grabitur bankat apo filialet e postave ekzekutonte gjithkënd që i dilte përpara.

Studentja e juridikut, e cila kishte humbur njeriun e shtrenjtë, duket se nuk kishte hezituar të kritikonte prokurorinë atë kohë kur Nexhat Mulaj, i dyshuar për vrasjen e babait të saj, u la i lirë. Në fakt, i riu kosovar ishte i pafajshëm, nuk kishte aspak lidhje me ngjarjen. Tashmë, që njeriu që i ekzekutoi të atin gjendet prapa hekurave, Rinelda ka kërkuar “falje” për shqetësimet sikurse i cilëson ajo, që atë kohë i krijoi Prokurorisë Shqiptare.