Vajza me 56 tatuazhe në fytyrë..

Nga Dorjan
Shkruar ne 26 Pri 2012 ora 9:45pm

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Vajza e re belge, e cila tre vjet të shkuara e gjeti veten me 56 tatuazhe në fytyrën e saj, vazhdon të ketë të njëjtën pamje, edhe pse në atë kohë ajo vendosi të bënte një trajtim të plotë me lazer për ta pastruar fytyrën, e cila ishte shndërruar në një ‘galaktikë’ të vërtetë yjesh.
Një gabim fatal duket se i kushtoi shumë 21-vjeçares Kimberley Vlaeminck tre vjet më parë, kur siç është shprehur ajo, shkoi të bënte tatuazh tre yje të vegjël në pjesën e fytyrës dhe në fund e gjeti veten të mbuluar nga 56 yje tatuazhe, të cilët i kishin mbuluar pothuajse gjysmën e fytyrës.

Verën e shkuar ajo shpenzoi një shumë të konsiderueshme parash për një kirurgji me rreze lazer, nga e cila shpresonte se tatuazhet do t’i hiqeshin nga fytyra deri në fund të shtatorit, dhe do të kishte përsëri pamje normale, por pamjet tregojnë se tatuazhet vetëm sa janë zbehur shumë pak, por kurrsesi nuk janë zhdukur nga fytyra e të resë.

Në qershor 2009, Vlaeminck kishte pretenduar para familjes dhe reporterëve se ajo kishte kërkuar nga tatuisti vetëm tre yje tatuazh pranë syrit të saj, por pastaj ai i kishte shtuar të tjerët pa dijeninë e saj, ndërkohë që atë e kishte zënë gjumi. Vajza premtoi në të kohë se do të padiste tatustin për dëmin që i kishte shkaktuar, duke pretenduar se një keqkuptim në gjuhën e përdorur, duke qenë se kur ajo i dha udhëzimet foli në gjuhën frënge dhe angleze, kishte sjellë edhe keqkuptimin nga ana e tij.

Megjithëse trajtimi me lazer ka dhënë një farë efekti në zbehjen e bojës së tatuazheve, edhe teknologjia më e përparuar do të lërë në mënyrë të pashmangshme shenja të bardha në të gjithë fytyrën e saj.
Sipas medias belge, tatuisti që e shndërroi 21-vjeçaren në atë gjendje është shprehur se nuk pendohet aspak për tatuazhet që i ka bërë Kimberley-t, duke shtuar se ai në këtë mënyrë e kishte bërë të njohur kudo në botë vajzën.