Valon Shehu: Mendoj se jam gati për albumin tim të parë

Nga Dinejda
Shkruar ne 01 Qer 2012 ora 12:53pm

Megjithëse është shumë i ri në moshë, ai ka vite që merret me muzikën. Erdhi nga Gjakova për t’u bërë një Yll i “Akademisë së Yjeve”, një talent-show që u zhvillua në Shqipëri para disa viteve. Ky është Valon Shehu, i cili, pas suksesit të arritur në atë periudhë, sot është një këngëtar që performon live dhe ngjit shkallët e suksesit edhe në evenimentet e ndryshme muzikore që organizohen. Në një intervistë për suplementin “Summer Time” ne gazeten “Koha Jone”, Valoni rrëfen se si ka marrë pjesë në një talent-show pa e ditur se çfarë e priste, thjesht për ta provuar dhe si më pas arriti që ta fitojë atë edicion. Për më shumë lexoni intervistën e dhënë.

Tashmë, ju Valon jeni bërë një emër i njohur në skenën shqiptare, por kur keni filluar të merreni për herë të parë me muzikën?

E kam nisur rrugën e muzikës në klasën e shtatë, pra në moshën 12- vjeçare, dhe fillimisht kam nisur të studioja për kitarë, pasi kisha tre-katër muaj që kisha filluar kursin fillova edhe të këndoja nga pak me profesorin që më mësonte kitarën. Koncertin tim të parë e kam dhe kur isha në klasën e tetë dhe e kam dhënë para bashkëmoshatarëve të mi në shkollë me rastin e mbarimit të shkollës. Më pas krijuam një grup rroku, me disa shokë të tjerë dhe bëmë edhe disa koncerte me grupin tim në Gjakovë.

Ju u bëtë i njohur në Shqipëri pasi morët pjesë në talent-shoun që organizohej në atë kohë “Star Akademi”, si u gjendët ju në këtë konkurs?

Një mik i imi, i cili është muzikant i vjetër, më njoftoi se do të bëheshin audicionet e “Star Akademi” edhe në Kosovë. Unë nuk e kisha idenë se çfarë ishte, pasi ishte viti i parë që organizohej dhe ai më ka shtyrë që të bëhesha pjesë e audicioneve. Dhe unë vendosa që të merrja pjesë thjesht për ta provuar. Në juri ishte Zana Çela dhe disa të tjerë më pas u kualifikova edhe për në Tiranë dhe në fund arrita edhe e fitova edicionin e parë të “Star Akademi”, falë punës dhe impenjimit tim serioz.

Pas mbarimit të “Star Akademi”, ju u përballët me të tjera konkurse, por këtë herë ishin festivalet, a keni hasur vështirësi?

Po, sigurisht që çdo fushë ka vështirësitë e veta, aq më tepër bota e artit. Pas mbarimit të “Star Akademi” ishte kompozitori Alban Male që kishte bërë një këngë enkas për mua, duke parë performancat e mia te “Stari”. Dhe ishte pikërisht pjesëmarrja ime në “Top Fest 4″ ku unë isha vetvetja mund të them, sepse ishte një këngë që ishte kompozuar për mua, me muzikë dhe tekst. Kjo ishte përballja e parë me tregun muzikor. Kuptohet që kam pasur edhe unë ato vështirësitë e mia, sepse jo gjithçka të shkon sipas parashikimeve të tua. Por mendoj se kur ti mundohesh shumë që të arrish qëllimet e tua, gjithçka ecën përpara.

Po kur u kthyet në Kosovë, a ishit ju po aq i njohur sa këtu?

Më së shumti unë në atë periudhë isha i njohur këtu, sepse emisionet që bëheshin në Shqipëri nuk shikoheshin siç mund të shihen sot. Por, gjithsesi, një pjesë e mirë më kishin ndjekur dhe më kanë pritur shumë mirë, dhe me komplimente, të llojit: “Na ke zbardh fytyrën!” etj.

Sot ka të tjera formate që merren me zbulimet e talenteve, si e shihni ju, është më e lehët për të ecur përpara, apo më e vështirë?

Po, unë mendoj se sot është më e lehtë se shtatë-tetë vjet më parë, pasi marketingu sot bën një punë shumë më të madhe për të lançuar talentet. Pasi ka më shumë televizione, rrjetet sociale nga ana tjetër, plus edhe organizimi i këtyre spektakleve është shumë më serioz, pasi ishin fillimet dhe vetë organizatorët nuk ishin me aq eksperiencë sa janë sot.

Cila është kënga juaj më e fundit që keni përgatitur?

Kënga ime e fundit është kënga, me të cilën unë jam edhe në natën finale në “Top Fest 9″ “Mos shko” titullohet dhe është një bashkëpunim me Jorida Zaimaj. Shumë shpejt pres të dalë edhe klipi i këngës që me siguri do të jetë gati për këtë javë.

Keni menduar që të keni bashkëpunime të tjera më pas?

Dueti me Joridën është dueti im i parë dhe për momentin nuk është se kam bashkëpunime të tjera, por në të ardhmen sigurisht që do të kem, pasi unë jam në fillimet e karrierës sime dhe ky duet më ka lënë mbresa të mira.

Ju klipet i bëni vetë, apo keni përkrahjen e dikujt?

Deri tani unë kam bërë tre klipe, dhe i kam bërë me forcat e mi, pasi klipet e mia shkojnë maksimumi deri tek 2500 euro. Nuk kam pasur as mbështetjen e ndonjë sponsori, as më është afruar dhe as kam kërkuar në fakt. Për momentin nuk më është dashur që të kërkoj sponsor, por kur të kem nevojë sigurisht që do të kërkoj.

Sa i rëndësishëm është videoklipi në promovimin e një kënge?

Sigurisht që muzika është primare tek një këngë, megjithatë edhe klipi ka goxha rëndësi, pasi nëpërmjet tij këngëtari paraqet edhe stilin dhe del edhe si personazh. Por sigurisht që nuk mund të jetë më i rëndësishëm sesa vetë kënga, pasi mund të bësh një klip shumë të bukur, por po nuk ishte kënga e tillë, ai klip humbet se nuk e sheh njeri.

Ju jeni nga ata këngëtarë që performoni live, si jeni ndjerë kur ju është dashur që të performoni me “playback”

Sigurisht që unë jam vetvetja kur këndoj live. Pasi kur këndoj me Playback më duket sikur recitoj. Dhe jo vetëm unë, por të gjithë këngëtarët që këndojnë live, ndihen rehat kur këndojnë live.

Me çfarë merreni tjetër ju Valon?

Përveç muzikës, unë jam edhe student në vitin e tretë për Gjeografi, në Gjakovë. Kam ende edhe një vit dhe më pas diplomohem. Deri tani më ka shkuar gjithçka mirë, por të shohim deri në përfundim të studimeve.

Si është një ditë e juaja e zakonshme?

Dita ime nuk është e ndryshme nga ajo e shumë djemve dhe vajzave të tjera. Zgjohem nga gjumi dhe nuk dal nga shtëpia pa ngrënë mëngjes. Më pas dal me shoqërinë për të pirë një kafe, kur jam në Gjakovë shkoj në fakultet, kur jam këtu takohem me miqtë e mi muzikantë, bëj prova. Ja kjo është një ditë e imja e zakonshme.

Sa i përket lookut tuaj, e keni menduar që të ndryshoni ndonjëherë?

E kam menduar, në fakt, dhe gjatë dhjetë viteve që unë i kam flokët e gjata, i kam prerë vetëm njëherë dhe nuk më kanë pëlqyer vetja fare me flokë të shkurtra. Dhe them me vete kur të bëj 30 apo 40 vjeç, si do t’i mbaj unë flokët e shkurtra? Se mbase nuk do të më njohin njerëzit se janë mësuar të më shohin me kaçurrela. Por, deri atëherë, nuk i dihet, tani nuk kam ndërmend t’i pres njëherë.

Flasim pak për jetën tuaj private, a keni ju një lidhje?

Unë jam në lidhje prej katër vitesh me një vajzë nga Gjakova edhe ajo studion në Prishtinë për Sociologji, pra është studente.

Cilat janë projektet tuaja gjatë sezonit të verës?

Stina e verës është shumë e ngjeshur sa i përket projekteve muzikore. Unë do të jem në lëvizje, pasi kam disa ftesa në Ulqin, pra në Mal të zi, edhe nëpër Shqipëri kam disa oferta, për të performuar në qytete të ndryshme. Kështu që kjo verë do të jetë e ngarkuar sa i përket koncerteve dhe perfomancave të mia live.

A jeni të kënaqur nga pagesat që bëhen sot për këngëtarët?

Nuk mund të them se jam 100% i kënaqur, pasi të gjithë shohin këngë- tarin që del në skenë dhe performon, por nuk e dinë se sa mund dhe shpenzime ka pas gjithë asaj performance. Megjithatë, unë si Valon jam i kënaqur nga pagesat dhe nga investimet që kam bërë unë për muzikën, por të mos harrojmë që unë jam ende shumë i ri.

A mendoni se ka ardhur koha që të nxirrni albumin tuaj të parë?

Po, të them të vërtetën, unë jam duke menduar për një album, pasi më janë bërë nëntë këngë deri tani, do të më duhen edhe tre ose katër këngë të tjera dhe albumi do të jetë gati.