Vëllai i shoferit të autobusit: S’ishte faji i tij, por i mjetit

Nga Dinejda
Shkruar ne 26 Maj 2012 ora 4:24pm

ELBASAN-Familjarët e shoferit të tragjedisë së Qafë-Vishës, viktimës Pëllumb Cela, reagojnë ashpër pas ekspertizës së policisë, sipas së cilës shkaku i aksidentit tragjik në Himarë ishte shpejtësia me të cilën udhëtonte drejtuesi i mjetit. Ata e cilësojnë këtë si një vdekje për së dyti të njeriut të tyre, ndërsa nuk e besojnë aspak përfundimin e nxjerrë nga policia. Vëllai i tij, Ibrahim Çela, deklaroi dje se ekspertiza nuk është e plotë, për shkak se policia duhet të vlerësonte dhe gjendjen teknike të autobusit. Sipas tij, faji për aksidentin nuk është i vëllait të tij të ndjerë, por i gjendjes teknike të autobusit më shumë sesa 20-vjeçar, që vazhdonte ende të ishte në qarkullim.
“Akti i ekspertimit të policisë ishte një vdekje e dyfishtë për ne. Nuk e pranojmë, kërkojmë të rishikohet dhe njëherë, Madje të shikohet dhe cështja e autobusit, vjetërsia e tij. Është faji i shtetit që lejojnë autobusë kaq të vjetër të qarkullojnë në vend”.

Sipas të vëlalit, Pëllumbi, ishte një nga 2 shoferët më të mirë të agjencisë. ‘E them me bindje se Pëllumbi ishte një nga 2 shoferët më të mirë të kompanisë. Në agjenci janë 9 autobusë, 2 për rrugë të gjata. Pëllumbi punonte në këtë agjenci i pasiguruar, nuk e kishin siguruar. Ne nuk e besojmë dhe nuk e kemi për ta besuar se ai ishte fajtori”.

Gjithashtu, Ibrahim Çela, që është me profesion mekanik, shprehet se policia duhet të rishikojë edhe gjendjen e rrugës dhe pasi të vlerësojë të gjithë elementët, të dalë në një konkluzion për shkakun e aksidentit të rëndë.

Edhe fëmijët e Pëllumb Çelës, thonë se babai i tyre nuk është fajtor, pasi kurrë ai nuk ecte me shpejtësi, madje, tregojnë ata, ai kishte shkuar gjithmonë për ekskursione dhe ekspedita, siç ishte dhe rasti i fundit në Korçë, kur, sapo ishte kthyer i ishte dashur sërish të udhëtonte drejt Sarandës, udhëtim prej të cilit s’u kthye më i gjallë.

Sic bejne te ditur familjaret, Pellumb Cela, ka qenë për 20 vjet mekanik, ndërsa 20 vitet e fundit punonte si shofer. ‘Pëllumbi ka mbaruar shkollën profesionale të Elbasanit për Mekanikë. Nga vitet ’70–’90 ka punuar si mekanik pranë stacionit hekurudhor, rregullonte defektet e lokomotivave. Ishte shumë i pasionuar për basketbollin dhe, përveçse ka luajtur vetë, ka qenë edhe trajner i ekipeve të reja… Në vitin 1991 atë e pushuan nga puna, duke qenë se u bënë shkurtime të vendeve të punës, derisa u mbyllën fare. Pak muaj më pas nisi rolin e shoferit në firma të ndryshme’, thone familjaret.

Policia, dy ditë më parë, deklaroi se nga ekspertiza auto-teknike rezultoi se shkaku i aksidentit të rëndë, që u mori jetën 11 studenteve, një të riu nga Kavaja – i fejuari i njërës prej vajzave dhe vetë shoferit, ishte shpejtësia e madhe me të cilën po udhëtonte Pëllumb Çela.