Vendet me te lumtura te botes

Nga Dinejda
Shkruar ne 12 Mar 2012 ora 5:30pm

Je i lumtur? Është një pyetje pak e ndërlikuar, të cilës të gjithë dëshirojmë t’i përgjigjemi me “Po”, edhe pse rrallëherë, në momente të veçanta të jetës e kemi ndier prej vërteti peshën e kësaj fjale.

 


Që prej viteve ’30, shifrat e prodhimit të brendshëm bruto janë bërë treguesi kryesor, ndonjëherë edhe ekskluziv, i gjendjes së një shteti dhe i mirëqenies së banorëve të tij.

Duke mbledhur sasinë dhe vlerën e të mirave e shërbimeve të prodhuara në një vend (ose të kundërtën) atë të të ardhurave të banorëve, produkti i brendshëm bruto është në fakt treguesi i saktë i gjendjes së një ekonomie. Problemi është se prodhimi i brendshëm bruto nuk na tregon asgjë se si jetojnë njerëzit, apo se sa të lumtur janë. Madje nuk na tregon nëse të ardhurat janë rritur, sepse pasanikët janë bërë edhe më të pasur apo varfanjakët edhe më të varfër. Franca është në krye të klasifikimit të vendeve më të lumtura. Ndryshe nga Franca, Koreja e Jugut e ka rritur 200 herë prodhimin e brendshëm bruto që prej vitit 1960, por kjo nuk ka bërë që numri i vetëvrasjeve të mos dyfishohej. Pra prodhimi i brendshëm bruto jep një imazh të pjesshëm dhe të deformuar të një shoqërie. Këtë e thoshte dyzet e dy vjet më parë edhe i paharrueshmi Robert Kennedy: “Prodhimi i brendshëm bruto mat gjithçka, përveç gjërave që ia vlen vërtet të jetosh”.

Por jemi apo jo të lumtur? Në fakt në pamje të parë do të thuhej po. Nga sondazhet e fundit, është vënë re se një në shtatë persona deklaron se është shumë i lumtur, një koncept ky relativ, por edhe mjaft domethënës. Sot kemi një tregues, që na jep masën mesatare të lumturisë së një popullsie. Nga 142 shtete, Franca është në vendin e 44-t, ndërsa SHBA-ja në të dyzetin. Lumturia është e rëndësishme edhe sa zgjat. Dihet që lumturia nuk është e njëjtë për të gjitha vendet dhe vërehen ndryshimet mes popujve të ndryshëm të botës. Një nga vendet ku lumturia zgjat për shumë kohë është Holanda. Amerika është në vendin e 26 në këtë klasifikim, ndërsa Franca në vendin e 74-t. Por a dëshironi të dini se cili shtet është në krye të klasifikimit të lumturisë? Janë Kosta Rika dhe Danimarka. Në fakt lumturia është një koncept paksa i ndërlikuar. Ajo që ne duam të matim nuk është fuqia e një ekonomie, por progresi human dhe civil i një shoqërie, përveç atij ekonomik. Në fakt sondazhet nuk mjaftojnë. “Të ardhurat, puna, inflacioni, pabarazia ekonomike dhe sociale, koha për lidhjet njerëzore: të gjitha këto elemente ndikojnë dhe kontribuojnë në lumturinë e njerëzve”, thotë një ekonomist.

Nga ajo që vërehet, duket se gjërat janë të komplikuara. Kohët e fundit organizata ndërkombëtare si OSBE-ja dhe Banka Botërore po bëjnë të pamundurën për të gjetur tregues që matin nivelin e lumturisë, progresin dhe zhvillimin e një vendi. Dy studiues holandezë kanë vërtetuar në bazë të studimeve të tyre, se të varfrit nuk bëjnë zgjedhje të shtrenjta, sepse kanë frikë se mos ndryshojnë mënyrën e tyre të jetesës. Ose më saktë ata i përmbahen shprehjes që “paratë nuk e bëjnë lumturinë”.

Në fakt, ajo që të bie më shumë në sy nga sondazhet është se në vendet e pasura, 15,84 për qind e të intervistuarve deklarojnë se janë shumë të lumtur. Në vendet më të varfra përqindja është pak më e ulët: 13,47 për qind. Si duket këto shtete lartësojnë shprehjen që paratë nuk janë gjithçka. Gjithashtu nga sondazhet është vënë re se pasanikët i kushtojnë më pak kohë vetes, me qëllim që të kalojnë më shumë çaste mes miqsh. Por për fat të keq ndonjëherë paratë nuk i blejnë miqtë. Por cila është ajo gjë që na tregon jo vetëm që kemi shumë para, por edhe që jetojmë mirë? Mbretëria e Butanit, në Himalaja është i vetmi vend ku llogarit rregullisht prodhimin e brendshëm bruto. Edhe “Lumturia kombëtare bruto”, është si PBB, një shifër e vetme. Është e bazuar në llogaritjen e treguesve si objektivë ashtu edhe subjektivë, duke qenë se në bazë të parimeve budiste, mes dy kategorive nuk ka ndryshim. Me fjalë më të thjeshta do të thotë që nëse ndërtohet një spital, matet edhe aftësia që kanë personat, të cilët do të punojnë aty. Nëse nuk rritet mirëqenia e tyre, nuk ka vlerë.

Gjithashtu një matës i mirë i lumturisë nuk është vetëm progresi e zhvillimi njerëzor. Treguesi i zhvillimit njerëzor kombinon tre faktorë: jetëgjatësinë, arsimimin e të rriturve dhe atë të adoleshentëve dhe standardin e lartë të jetesës. OKB-ja e publikon çdo vit këtë lloj klasifikimi. Klasifikimi i fundit, i cili u publikua para një viti, tregon se në dy vendet e para ishin renditur Norvegjia dhe Australia. Franca ishte në vendin e tetë, ndërsa Amerika në të trembëdhjetin.