Vera, arratisja nga bota e derteve

Nga Edmond Prifti
Shkruar ne 30 Pri 2011 ora 10:05am

Njeriu i zakonshëm e vështron verën në radhë të parë si material konkret, që turbullon mendjen dhe shton gëzimin për t’u arratisur nga bota e halleve dhe derteve. Poetët e shohin verën si një qenie me shpirt. Në verë, poeti gjen një shok, gjen një shpirt të dytë për të bërë një dialog në kërkim të mendimit të lirë dhe të lirisë. Atë liri, që nuk e ka në botën konkrete, poeti e gjen në botën pa kufi, pa doganë dhe pasaportë, – në botën e VERËS…

Gruaja krijon nga vetja një perëndeshë në llojin e saj, duke i dhënë kuptim gëzimit, trishtimit, por edhe ëndrrave… Ndërsa piktorja italiane, Donatella Serritella, fliste për ekspozitën e saj me gravura “Ëndrra produktive” (e hapur pak kohë më parë në Galerinë e Arteve), të krijonte idenë se rrëfimi i saj plot pasion ishte frymëzuar nga idhulli i saj, Sharl Bodler (Charles Baudleire). Dhe ishte pikërisht ashtu! Të kujtohet në çast “krijesa” e këtij të fundit e titulluar “Parajsa Artificiale”, – një libër i botuar që nga viti 2000. Bodler, ende konsiderohet si i fundmi i romantikëve dhe i pari i modernistëve, larg kurabieve bajate dhe gjepurave pedante.

Siç ka thënë Johan Kaspar Lavater, poeti dhe shpikësi i fiziognomonisë: “Zoti, ata që i do, i ruan nga leximet e kota”

Në parathënien e librit “Parajsa Artificiale”, Dritëro Agolli i ngre lavd verës (përpos të tjerave që përshkruan autori në këtë libër) apo esesë së Bodler-it mbi “lirinë që nuk e ka në botën konkrete, poeti e gjen pa kufij, pa doganë e pasaportë, – në botën e verës”. “Vera për të është një shpirt i gjallë dhe i pamatur që këput prangat dhe sheshon kufijtë e botës mëkatare. Synon krijimin e parajsës, drejt të jetuarit të ëndrrës”. Libri i kushtohet të gjithë atyre pijetarëve melankolikë apo qejflinj, të gjithë atyre që kërkojnë te vera kujtimin apo harresën, pijetarëve të harruar e padëgjuar. A do ndërroni ju, të mirën me të keqen, mirësinë me indiferencën, dëshirën për të dalë nga Uni, shpirtin e kënaqur me vetveten, shkrirjen e qenies me natyrën, ashtu sikurse në fund të ideve të thella ka përherë një hidhërim dehës? Kësisoj, tempullin e parajsës, njerëzit e zakonshëm dhe poetët, janë munduar ta ndërtojnë edhe me qereste apo mjetet e tjera haluçinante. Por sipas esesë së Bodler-it, kjo parajsë ka dalë artificiale dhe tepër e përkohshme, madje disa herë e kthyer në skëterrë. Bodleri në vijim, ka përshkruar idenë se fjala “assassin” që do të thotë “vrasës”, ka dalë nga baza e fjalës “hashash”. Ndërsa nga vera kanë dalë vetëm fjalë dhe vepra të bukura: dashuria, kënga, poezia dhe miqësia plot shend e verë. E kush nuk i ka shijuar kënaqësitë e thella të saj? Kujtdo i është dashur të qetësojë brejtjen e ndërgjegjes, të sjellë ndër mend kujtime, të mbysë dhimbjet apo thjesht të shohë ëndrra me sy hapur… Dhe kështu, të gjithë poetët e vërtetë i kanë kënduar verës, duke përfshirë edhe vetë Bodler-in. Por edhe shumë kohë para tij, “këngëtari” i madh i verës, Omar Khajam, ka kënduar: Na fryri dita, mor Saki: sill Verë! / Jetën s’e shohim përsëri: sill Verë! / Bota njëherë u mbyt në kataklizmi / Ashtu u mbytshim me dolli: sill Verë. Dhe Omar Khajam, Bodler apo Fan Noli, duke e marrë verën si qenie të gjallë me emër të përveçëm, e shkruajnë emrin me shkronja të mëdha: VERË… Le të ngremë atëherë një dolli për t’i hedhur pas hallet dhe problemet e Vitit 2008, për një jetë më të lumtur dhe plot hare, për Vitin e Ri 2009. Gëzuar!

Zbuluesi i “Parajsave Artificiale”, Charles Baudelaire

Ai mbahet më i madhi ndër poetët francezë. Lindi në Paris më 9 prill 1821. Studioi për pak kohë në Fakultetin e Drejtësisë, por tërhiqet pas letërsisë, i shtyrë ndoshta edhe nga njohjet e tij me Balzak dhe Verval. Spikati fort te ai dëshira për një jetë të ç’rregullt, dëshirë kjo, që e detyron familjen e tij ta çojë për një udhëtim të gjatë turistik në Indi. Bodler, pasi qëndron pak kohë në ishujt Mauricio, rikthehet befas në Bordo. Në Francë, ai bashkëjeton me artisten mulate, Jeanne Duval. Bukuria ekzotike, sensualiteti dhe brishtësia e femrës, magjitë turbulluese, – ishin temat e shumë lirikave të librave të tij. Nga 1845 deri më 1846 ai debuton si kritik arti me dy vepra; sakaq vazhdon të bëjë një jetë të shthurur dhe mjaft të kushtueshme, duke eksperimentuar së bashku me miqtë e tij artistë, – rebelë si vetë ai, – efektet e haluçinantëve dhe pasioneve të shfrenuara të ndjenjave. Shkon në Belgjikë për t’u kuruar pas një paralize… dhe më 1867, – pas kthimit në në një shtëpi mjekimi në Paris, – Bodleri nuk jep shpresa jete. Vdes më 31 Gusht.