Vera e sivjetshme

Nga Dorjan
Shkruar ne 27 Mar 2012 ora 8:43pm

Kalkulimet e reja meteorologjike. Deri në muajin korrik, Mesdheu verior parashikon temperature disi më të larta se mesatarja. Pastaj gjërat mund të shkojnë më keq, me mbërritjen e rërave afrikane.

Si do të mbajë moti këtë verë: Do të bëjë po aq nxehtë sa verën e kaluar? Do të bjerë shi? I kemi kërkuar mendim Antoni Barnstonit, nga Instituti Ndërkombëtar Kërkimor për Klimën dhe Shoqërinë, në universitetin Columbia të Shteteve të Bashkuara. Barnston është një prej ekspertëve më autoritarë të kësaj fushe. Ja përgjigjet e tij. 

-Edhe këtë vit do të bëjë nxehtë në basenin e Mesdheut?

Po, por këtë vit temperaturat më të larta do të paraqiten në pjesën e parë të sezonit veror, pra deri në gjysmën e parë të Korrikut. Ndërsa sa u përket rreshjeve, nuk kemi parashikuar asgjë jashtë normales; nuk them se nuk do të ketë përjashtime, por do të jenë krejt lokale. Në Mesdheun e jugut, nga ana tjetër, ku ekziston 50% mundësi që temperaturat të jenë mbi normën e kësaj periudhe, presim që stina të jetë super e nxehtë.

-Këtë vit tornadot kanë sjellë shkatërrime të mëdha në Shtetet e Bashkuara. Përse? A ka gjasa që këto dukuri t’i hasim edhe në Mesdhe?

Tornadot që godasin SHBA-në (në Europë nuk verifikohen fenomene të tilla me atë madhësi) lindin për shkak të përplasjes së masave të mëdha të ajrit të ngrohtë e të lagësht që vijnë nga Gjiri i Meksikos, me ajrin e ftohtë e të thatë që zbret nga Arktiku kanadez. Këtë vit dukuria ka qenë më e theksuar, pjesërisht për shkak të fenomenit Ninja, që ka përcaktuar temperatura më të ftohta në Perëndimin e Mesëm dhe në very të vendit.

-A po bëhen më ekstreme dukuritë meteorologjike, për shkak të ngrohjes globale?

Jetojmë në një planet më të ngrohtë nga ai me të cilin ishim mësuar; dhe një planet më i ngrohtë, ka më shumë lagështi në ajër e kësisoj, kemi më shumë rreshje dhe stuhi. Por klima po ndryshon në mënyrë graduale dhe nuk mund të themi se ndryshimet do t’i shohim në mënyrë të beftë.

-A kemi parashikim që tani për dimrin e ardhshëm?

Është ende herët për këtë. Por gjatë dy viteve të fundit është vënë re një ashpërsim i temperaturave në Amerikën e Veriut dhe Europë. Dimri i ardhshëm mund të jetë më i ngrohtë.

Nga revista Focus

Deri në korrik

Qiej të qetë. Ecuria e klimës në mesataren e tre muajve (maj-korrik) në fillim të verës. Retë indikojnë zonat me më shumë rreshje. Duket se në Shqipëri temperaturat maksimale janë brenda zonës së normalitetit.

Si fillim, mot i mirë…

Hartat e paraqitura këtu tregojnë parashikimet sezonale të motit për Mesdheun dhe Europën, sipas kalkulimeve të Institutit Ibimet në Itali. Sipas ekspertit të këtij instituti, Masimiliano Paskui, metoda e llogaritjeve në Ibimet është e tipit statistikor (në dallim nga ajo e Antoni Barnstonit, që mbështetet në modelin numerik), “për të parashikuar ndryshimet e ardhshme, nisemi nga anomalitë e muajve të shkuar”.

Vapa. Për Shqipërinë, siç tregon edhe harta, parashikohen temperatura maksimale përgjithësisht në normalen e kësaj periudhe.

Pas korrikut

Moti freskohet

Këtu kemi mesataren e anomalive termike përgjatë tre muajve të dytë të verës (korrik, gusht, shtator). Duket qartë se Ballkani dhe Italia jugore përfshihen nga një ulje temperaturash krahasuar me vitin e kaluar.

Vjeshta vjen herët?

Përsa i takon pjesës së dytë të sezonit veror, duke nisur nga muaji gusht, indikacionet ende nuk janë të qarta. “Por mund të presim temperatura me të freskëta nga normalja, dhe më shumë rreshje”, thotë Masimiliano Paskui, “me fjalë të tjera, le ta quajmë një vjeshtë të parakohshme”.

Nga Afrika. “Për më tepër, këtë vit regjistrohet një anomali temperaturash (1 deri 1.5 gradë mbi normën) në Mesdheun veri-perëndimor”, thotë Paskui, “një dukuri kjo që mund të tërheqë masa ajrore të përziera me rërë (foto lart), nga Afrika”.