Verona, Saimir Pirgu shkëlqen në kryeveprën moxartiane

Nga Dorjan
Shkruar ne 30 Qer 2012 ora 2:33pm

Me ngjyrat e zërit të tij, frazat muzikore, diksionin dhe frymëmarrjet moxartiane, tenori shqiptar Saimir Pirgu shkëlqeu me rolin e Ottavios në “Don Giovanni-n” e Mozart-it, operën që çeli sezonin veror të Arenës së Veronës.

Kësaj here nën firmën e Franco Zeffirelli, sipas shtypit italian, “Don Giovanni” është një eveniment artistik i veçantë, pasi vihet në skenë për herë të parë në një anfiteatër romak, duke u ndeshur me veçoritë e akustikës së një skene të hapur dhe me vështirësitë komplekse që ajo paraqet për muzikën e kryeveprës moxartiane. Një opera superklasike. 

Për tenorin shqiptar 26 vjeçar me famë botërore. Saimir Pirgu, axhenda e ngjeshur vazhdon edhe gjatë verës. `

Këto ditë, ai do të këndojë nën bagetën e Nikolaus Hamoncourt-it në “Styriarte Festival” në Graz të Austrisë, i cili do të transmetohet live nga televizioni austriak ORF III, mbrëmjen e ditës së shtunë. Në muajin gusht, Pirgu do të interpretojë nën bagetën e Riccardo Muti-it në Festivalin e Salisburgut e më pas në Buenos Aires, në operën e San Francisco, në operat shtetërore të Vienës, Mynihut, Zurih-ut, etj.

Por, produksionet e rëndësishme për të nuk kanë fund. Kësaj here na bën krenar në një produksion të ri të operës “La Traviata”.