Vërshojnë emigrantët, 4 mijë biznese të reja në 3 muaj

Nga Dorjan
Shkruar ne 16 Apr 2012 ora 1:18pm

Në Qendrën Kombëtare të Rregjistrimit të biznesit (QKR) në 3 muajt e parë të këtij viti janë rregjistruar 4006 biznese të reja, një pjesë e të cilave nga emigrantë të kthyer në atdhe nga kriza ekonomike në Greqi.

Burime zyrtare të QKR-së thanë sot për ATSH se, ecuria flet për trend pozitiv të rregjistrimeve të bizneseve të reja këtë vit, ndërsa vlerësojnë pozitiv edhe uljen e çrregjistrimeve, të cilat rezultuan në këtë periudhë me 62% më pak.

“Në muajin janar u rregjistruan 1.219 regjistrime, në shkurt 1.731 dhe në mars 1.036 me një total prej 4006 biznese të reja të rregjistruara”, thanë burimet e QKR-së.

Edhe çrregjistrimet shënojnë përmirësim, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sivjet janë çrregjistruar 540 biznese, nga 1418 në 3-mujorin e parë 2011.

Sistemi i ri rregjistrimit i instaluar pranë QKR-së arrin të koordinojë saktë të dhënat, u jep mundësi subjekteve të interesuar të informohen në kohë reale për statusin e aplikimit të tyre dhe bizneset e reja të rregjistrohen brenda 24 orëve kundrejt një pagese vetëm 100 lekë.

Krijimi i QKR-së solli përfitime të rëndësishme për bizneset shqiptare dhe investitorët e huaj për procese më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më pak të kushtueshëm për rregjistrimin e një biznesi të ri.